Memushaj e Manaj sulmohen nga tifozët. Ultrasit prishin darkën e Krishtlindjeve për Peskarën
Sporti E Premte, 7 Maj 2021 21:22
Ledian Memushaj dhe Rej Manaj u sulmuan nga tifozët e skuadrës së tyre në darkën e Krishtlindjeve. Acarimi ishte i madh për shkak se Peskara ndodhet në vendet e fundit në Serinë A.
Ishin të lumtur në maj të këtij viti.
Tifozët e Peskarës kanë pësuar një metamorfozë të plotë në vetëm pak muaj, dhe nga lumturia e skajshme, kanë kaluar tek zemërimi I shfrenuar.
Skuadra ku bëjnë pjesë edhe Ledian Memushaj e Rej Manaj që vjet sezonin e kaluar u ngjit në Serinë A, thuajse u bë viktimë e nervave të shkatërruara të atyre që quhen ultras, ndërsa dolën nga mbrëmja tradicionale e Krishtlindjeve.
Me dhjetëra mbështetës të Peskarës protestuan me banderola pranë lokalit ku u zhvillua darka festive, madje patën ndërmend t’i sulmonin futbollistët dhe trajnerin Odo, mes të cilëve ishin edhe shqiptarët Memushaj, Manaj e Maloku.
“Nuk ka asgjë për të festuar, – shkruhej në banderola, – rrini këtu jashtë me ne, dhe mos shkoni në darkë. T’iu vijë turp”.
Për fat, policia ishte aty dhe nuk lejoi degjenerim në dhunë fizike, ndonëse disa nga tifozët hodhën fishekzjarrë dhe tymuese.
Pavarësisht një sezoni të dobët në Serinë A, lojtarët nuk e mendonin se gjërat do të mbërrinin deri në këtë pikë.
Pas humbjes së fundit në fushën e Krotones, Peskara është në vendin e parafundit me vetëm 8 pikë, dhe një nga skuadrat më pranë rënies nga kategoria.
KOHA JONË SONDAZH

