Messi: Guardiola është unik, do të luftojmë deri në fund në Kupën e Botës
Lionel Messi, në një intervistë të gjerë për ESPN, ka folur me superlativa për Pep Guardiolën, trajnerin me të cilin përjetoi disa nga vitet më të suksesshme të karrierës së tij te Barcelona. Sipas argjentinasit, Guardiola mbetet një figurë e pakrahasueshme në botën e futbollit.
“Për mua është unik. Ka trajnerë jashtëzakonisht të mirë, por ai ka diçka që të tjerët nuk e kanë. Për mua është më i miri. Ka një vizion loje të jashtëzakonshëm, një strategji të qartë dhe një aftësi komunikimi me lojtarët që e bën shumë komplet. Kudo që ka shkuar ka vazhduar të fitojë. Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për trofetë, por për mënyrën se si luajnë skuadrat e tij,” u shpreh Messi.
Ylli argjentinas foli edhe për përfaqësuesen e tij dhe Botërorin e ardhshëm: “Kjo skuadër është një grup që do të provojë sërish të japë maksimumin. Do të luftojmë deri në fund. Por janë detajet e vogla që të nxjerrin jashtë. Botërori është shumë i vështirë; çdo ekip mund të ta komplikojë ndeshjen. Godet shtyllën dhe topi hyn,ose nuk hyn dhe je jashtë. Mund të humbësh edhe me penallti.”
Messi u rikthye edhe te finalja dramatike e vitit 2022: “Ndaj Holandës dhe Francës ishim dukshëm superiorë dhe megjithatë ndeshjet shkuan te penalltitë. Pastaj patëm ‘bishën’ Dibu Martínez, që na ndihmoi të fitonim. Por mund të shkosh te penalltitë dhe të mos fitosh. Të fitosh një Kupë Bote është jashtëzakonisht e vështirë.”
KOHA JONË SONDAZH

