Messi kurrë kaq pranë largimit, City hidhet në sulm për ta rrëmbyer

Situata është e njëjtë si në fillim të vitit. Vështirësitë për rinovimin e kontratës e cila skadon në vitin 2021m nervozizmi i shfaqur pas ndeshjes me Osasunën dhe turpërimi nga Bayerni, kanë shtuar edhe më shumë nervozizmin te Lionel Messi. Për momentin mundësia që ai të rinovojë kontratën është thuajse zero. Argjentinasi lirohet nga kontrata me skuadrën katalanase vitin e ardhshëm dhe më pas mund të nisë një aventurë të re në një skuadër të madhe europiane. Manchester City, sipas “Daily Mirror” është në “pole position” për të siguruar shërbimet e tij.

Do të ishte një ribashkim edhe me Pep Guardiolën, trajner i cili nuk e ka fituar më Champions League, që nga periudha kur kishte në skuadër “Pleshtin”. Ekziston edhe mundësia e një kalimi të mundshëm në Milano, te skuadra e Interit, teksa që tani familja e tij ka blerë shtëpi shumë pranë zyrave të klubit zikaltër. Një vit do të jetë një periudhë e mjaftueshme për të kuptuar se cili do të jetë rrugëtimi i tij i ri.

Te Barcelona aktuale presidenti Bartomeu me shumë mundësi mund të zgjedhë Xavin si trajner (i sponsorizuar nga Messi dhe shokët e tij), duke bërë që të forcohet edhe më shumë lidhja me klubin katalanas, por edhe ky opsion nuk garanton asgjë për të ardhmen.

Në orët e ardhshme është parashikuar një takim mes drejtuesve blaugrana, të cilët do të marrin një vendim për të ardhmen. Një gjë është e sigurt: Asnjëherë në histori, Lionel Messi nuk ka qenë kaq pranë largimit, për të braktisur klubin që e ka konsideruar si shtëpinë e tij për gjithë jetën. Turpërimi nga Bayerni është vetëm goditja e fundit, pasi edhe në sezonet paraardhës, Barcelona ka treguar probleme të mëdha, duke pësuar disfata të frikshme (4-0) nga Liverpooli, (3-0) nga Roma, (3-0) nga Juventusi. /R.Lika-Koha Jone/

SHKARKO APP