Messi përgatitet për lamtumirën nga Argjentina: Një ndeshje e fundit, një fanellë për gjithë jetën!
Më 6 tetor, stadiumi “Monumental” pritet të përjetojë një nga netët më emocionuese në historinë e futbollit argjentinas. Leo Messi do të zbresë në fushë për atë që është paralajmëruar si ndeshja e fundit e tij me fanellën e Argjentinës, në miqësoren ndaj Beninit.
Vetë Messi ka dhënë sinjalin e lamtumirës përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, ku ka shfaqur fanellën që do të veshë në këtë përballje, shoqëruar me mesazhin: “Ndeshja e fundit, një fanellë për gjithë jetën.”
Nëse konfirmohet si paraqitja e tij e fundit me kombëtaren, kjo ndeshje do t’i japë fund një kapitulli të jashtëzakonshëm që zgjati më shumë se dy dekada.
Messi debutoi me Argjentinën më 17 gusht 2005, në moshën vetëm 18-vjeçare. Që prej atëherë, ai është shndërruar në golashënuesin më të mirë në historinë e kombëtares, duke regjistruar 115 gola në 196 ndeshje.
Gjatë karrierës së tij me Argjentinën, Messi e udhëhoqi skuadrën në tri finale të Kupës së Botës, ndërsa momenti kulmor erdhi në Katar, në vitin 2022, kur ngriti për herë të parë trofeun e artë të Botërorit.
Përballja me Beninin në “Monumental” pritet të jetë më shumë se një miqësore. Stadiumi pritet të shndërrohet në skenën e një ceremonie lamtumire për kapitenin dhe figurën qendrore të një prej epokave më të suksesshme të futbollit argjentinas.
Tifozët po përgatiten për një natë të veçantë, ndërsa miliona të tjerë në mbarë botën do ta ndjekin momentin kur Messi mund të veshë për herë të fundit fanellën e kombëtares që e shoqëroi gjatë gjithë karrierës së tij ndërkombëtare.
🥺 La última camiseta para el último baile del 🔟 con la Selección Argentina 💙 pic.twitter.com/tfC5alzLvY
— TyC Sports (@TyCSports) September 21, 2026

