Messi shpreh hapur dëshirën për të luajtur me Neymar dhe Martinez, sqaron përplasjen me Abidal
Lionel Messi së fundmi ka dhënë njëintervistë të gjatë për “El Mundo Deportivon”, duke folur për tema të ndryshme. Ylli argjentinas preku fillimisht temat e merkatos ku shprehu hapur dëshirën për të luajtur me Neymar dhe Lautaro Martinez.
“Unë do të doja shumë që Neymar të kthehej. Ai është një nga më të mirët në futboll. Një person i gëzuar, gjithmonë i lumtur, argëtohej në fushë. Neymar me të vërtetë dëshiron të kthehet, është penduar që u largua në vitin 2017.
Lautaro Martinez? Është spektakolar, mbresëlënës, ai do të bëhet një lojtar i shkëlqyeshëm dhe po e demonstron këtë. Ai është i mirë në dyluftimet një kundër një, shënon shumë, lëviz si duhet në zonë, ka shumë cilësi.
Është i plotë, ka shumë të përbashkëta me Suarezin. Të gjithë lojtarët e mirë përshtaten për të luajtur me njëri-tjetrin. Luis mund ta ndihmojë atë të përshtatet. A mund të na shihni së bashku? Unë uroj që më të mirët të vijnë këtu dhe të përpiqen të fitojnë gjithçka.
Përplasja me Abidal? Unë u përgjigja, sepse u ndjeva i sulmuar. Lojtarët ishin në shënjestër. Shumë gjëra janë thënë për dhomën e zhveshjes, që largon trajnerët, dhe se unë paskam fuqinë të marr vendime. Konsiderimi i lojtarëve shkaktarë për shkarkimin e trajnerit më tingëllon çmenduri. Klubi ka një drejtor dhe sekretariat teknik, ata i marrin vendimet”, deklaroi Messi.