Messi vijon të shkëlqejë në Amerikë, çon Inter Miamin në finalen e Kupës së Ligës
Lionel Messi vazhdon të shkëlqejë në futbollin amerikan. Ylli argjentinas ishte protagonisti absolut në fitoren 3-1 të Inter Miamit ndaj Orlando City, duke shënuar dy gola dhe dhënë një asist që siguroi biletën për në finalen e Kupës së Ligës.
Orlando kaloi fillimisht në avantazh me golin e Pasaliç në pjesën e parë, por gjithçka ndryshoi kur Brekalo u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 74-t. Me një lojtar më shumë, skuadra nga Florida gjeti forcat për të përmbysur rezultatin: Messi barazoi nga penalltia në minutën e 77-të, më pas shënoi golin e dytë në të 88-ën, duke e dërguar stadiumin në festë. Në kohën shtesë, numri 10 asistoi për Segovia, i cili vulosi shifrat 3-1.
Ky është kualifikimi i dytë i Inter Miamit në finalen e këtij kompeticioni brenda tre vitesh. Finalja do të luhet kundër Seattle Sounders, që mposhtën Los Angeles Galaxy, dhe përveç trofeut, fituesi do të sigurojë edhe një vend në fazën e 1/8-tave të Champions Cup për Amerikën e Veriut dhe Qendrore.
Pas suksesit të vitit 2023, Inter Miami ka mundësinë të dielën të shtojë një tjetër trofe në historinë e klubit, me Messin që mbetet arma kryesore e skuadrës.

KOHA JONË SONDAZH

