Milani arrin akordin me Mandzukic, nesër priten vizitat mjekësore
Milani nuk ka ndërmend të ndalet as në merkato. Kuqezinjtë në orët e fundit kanë arritur marrëveshjen me Mario Mandzukic. Sulmuesi i mbetur pa kontratë prej disa muajsh, është gati që të rikthehet në nivelet e larta të futbollit pas një aventure të dështuar në Kinë.
Kroati me shumë mundësi të hënën do të kryejë vizitat mjekësore me kuqezinjtë, ndërkohë që së bashku me të mund të vijë dhe Tomori në formë huazimi nga Chelsea. Mandzukic do të firmos një kontratë 6 mujore me të drejtën e rinovimit edhe për 12 muaj të tjerë, e njëjta skemë që u përdor edhe për Ibrën.
Më e vështirë do të jetë për Tomorin, pasi Chelsea kërkon jo më pak se 30 milionë euro për kartonin e tij, teksa lampard nuk ka pranuar që të largohet në formë huazimi. Ai nuk u grumbullua për sfidën e së shtunës ndaj Fulham, një sinjal që tratativat me Milanin janë në rrugën e duhur. /R.Lika-Koha Jone/