Milani bën gati rinovimin me Rabiot dhe Pavlovic
Pas përfundimit të merkatos pa ndonjë goditje të bujshme në orët e fundit, te Milani vëmendja është zhvendosur te rinovimet e kontratave. Dy emrat që konsiderohen më urgjentë janë Adrien Rabiot dhe Strahinja Pavlovic.
Të dy lojtarët kanë kontrata që skadojnë në vitin 2028, me një opsion për zgjatjen e tyre edhe për një sezon tjetër. Megjithatë, drejtuesit kuqezi duan të shmangin çdo pasiguri dhe në javët e ardhshme pritet të nisin punën për zgjatjen afatgjatë të marrëveshjeve me dy shtyllat e skuadrës së Ruben Amorimit.
Në rastin e Rabiot, pritet një takim i drejtpërdrejtë mes Gerry Cardinale dhe nënës së futbollistit, e cila njëkohësisht është edhe agjentja e tij. Takimi do të shërbejë për të diskutuar të ardhmen e mesfushorit francez dhe kushtet e një kontrate të re.
Ideja e klubit është që marrëveshja me Rabiot të zgjatet të paktën deri në vitin 2030, ndërsa lojtari pritet të përfitojë edhe një rritje page. Sipas raportimeve, paga e tij mund të arrijë rreth 5 milionë euro në sezon, duke e bërë Rabiot një prej futbollistëve më të paguar në skuadrën e Milanit.
Në të njëjtën kohë, Milani po punon edhe për rinovimin e Pavlovic. Mbrojtësi serb ka qenë prej kohësh në radarët e disa klubeve të huaja, të cilat kanë shfaqur interes për të gjatë merkatos së fundit.
Bisedimet mes klubit dhe përfaqësuesve të Pavlovic janë tashmë në një fazë të avancuar. Sipas informacioneve të fundit, palët po afrohen drejt një marrëveshjeje dhe firma për kontratën e re mund të vijë së shpejti.
Oferta e Milanit parashikon zgjatjen e kontratës së mbrojtësit serb deri në vitin 2031, në një lëvizje që do t’i garantonte klubit kuqezi sigurinë për të ardhmen e një prej lojtarëve të rëndësishëm të repartit defensiv.
KOHA JONË SONDAZH

