Milani kërkon të gjejë shpëtimin te një nga këto 3 sulmues

Milani është në vështirësi të mëdha dhe kjo gjë është mëse e dukshme gjatë këtij sezoni. Skuadra kuqezi në fakt vuan në gjetjen e golit. Sulmuesi kryesor i kuqezinjve, Piatek është në krizë dhe gabon edhe rastet më të mira, ndërsa portugezi Leao nuk ka eksperiencën e duhur për t’u bërë lider.

 

Pikërisht për këtë arsye, drejtuesit po punojnë për të sjellë në janar një futbollist me shumë eksperiencë në repartin e avancuar. Emri i parë që josh drejtuesit kuqezinj, është ai i suedezit Zlatan Ibrahimovic.

Një tjetër emër që pëlqehet në Milanello, është edhe ai i kroatit të Juventusit, Mario Mandzukic, që nuk bën pjesë në planet e Sarrit dhe është gati të largohet nga Torino në momentin e parë që do të hapet merkatoja.

Megjithatë për kroatin, duhet mposhtur konkurrenca e Manchester United, që kërkon prej kohësh sulmuesin dhe ka avancuar në bisedimet për transferimin e tij. Përveç kësaj, duhet paguar edhe një shifër modeste prej 5 milionë eurosh në arkat e Juventusit.

Emri i fundit është ai i belgut të Napolit, Dries Mertens, që ka refuzuar rinovimin e kontratës me “të kaltrit” dhe De Laurentiis synon ta shesë në janar, për të mos e humbur me parametra zero në verën e ardhshme.

SHKARKO APP