Milani po mendon seriozisht për Sergio Ramos, por ka një problem

Milan ka nisur të mendojë seriozisht për kapitenin e Real Madridit, Sergio Ramos, i cili do të jetë lojtar i lirë në qershor, kur i skadon kontrata me Real Madridin. Kapiteni i skuadrës “merengues” nuk ka vendosur ende nëse do të vazhdojë me “Los Blancos” apo do të provojë një aventurë të re.

Gazetari Paolo Condo, për kanalin YouTube të Stefano Borghiit, foli për situatën e mbrojtësit spanjoll, duke theksuar se 34-vjeçari do ta mendonte seriozisht transferimin te “Djalli”.

“Një mik nga Madridi më zbuloi se ai nuk do të qëndrojë te Reali. Nëse Paolo Maldini do ta telefononte personalisht, ai do të mendonte seriozisht transferim në Milano. Do të ishte një nder i madh për Ramosin të luante për ekipin kuqezi. Të mos harrojmë se ishte Arrigo Sacchi ai që e afroi Ramosin në Madrid. Carles Puyol ishte i gatshëm të luante edhe falas vetëm për t’u bashkuar me Milanin.

Kam kërkuar informacion nga drejtuesit e Milan dhe kam mësuar se klubi ka bërë një sondazh, por pretendimet ekonomike të mbrojtësit nuk janë të arritshme. Mendoj se lojtari ka të ngjarë të shkojë te PSG-ja ose në Premier League”, deklaroi Condo. 34-vjeçari është një nga lojtarët më të paguar në Spanjë dhe kuqezinjtë duhet t’i kushtojnë vëmendje buxhetit të tyre dhe “Fair Play-t Financiar”.

SHKARKO APP