Milani rigjen fitoren në Seria A, mposht me lehtësi Veronën dhe merr kreun
Milani ka reaguar pas paraqitjes zhgënjyese në Superkupën e Italisë, duke triumfuar 3-0 ndaj Hellas Veronës në ndeshjen e vlefshme për javën e 17-të të Serie A. Fitorja shënon rikthimin te suksesi në “San Siro”, pas barazimit në ndeshjen e fundit në shtëpi.
Pjesa e parë rezultoi e vështirë për kuqezinjtë, me Veronën që mbajti më shumë topin, megjithëse pa krijuar rrezik real për portën e Milanit. Zhbllokimi i ndeshjes erdhi vetëm në minutat shtesë të pjesës së parë, kur Christian Pulisic përfitoi nga një top i devijuar dhe e dërgoi në rrjetë, duke i dhënë avantazhin vendasve.
Në pjesën e dytë, protagonisti absolut ishte Christopher Nkunku. Sulmuesi francez realizoi dy golat e parë të tij në Serie A brenda pak minutash. Në minutën e 48-të, ai fitoi dhe shndërroi me saktësi një penallti, ndërsa në minutën e 53-të ishte më i shpejti në zonë për të shtyrë topin në rrjetë, pas një goditjeje të Modric që u ndal në shtyllë nga portieri Montipò.
Me këtë fitore, Milani merr tri pikë të rëndësishme, duke u ngjitur momentalisht në krye të renditjes me 35 pikë, dy më shumë se Interi.
KOHA JONË SONDAZH

