Milani shkatërrohet nga Atalanta por shpallet kampione dimri, Interi ndalet ndaj Udineses (VIDEO)
Atalanta është kthyer në një makth të vërtet për Milanin. Pas fitores 5-0 në sezonin e kaluar, ekipi i Gasperinit këtë sezon është mjaftuar me një triumf 3-0 në “San Siro”.
Bergamaskët me Gjimshitin në mbrojtje janë shumë solid, ndërkohë që krijojnë pafund raste në sulm. Në minutën e 26-të, do të ishte një mbrojtjes që do të konkretizonte një aksion perfekt. Romero realizoi me kokë pas një pasimi të Gosens. Pjesa e parë u mbyllë me këtë rezultat, ndërkohë që në fillimin e së dytës, Ilicic fitoi një penallti pas një faulli të Kessie dhe e ktheu po vetë në gol.
Milani jo vetëm që nuk arrin të reagojë, por do të pësonte një tjetër gol. Në minutën e 77-të, pas një kundërsulmi të shpejtë Romero shërben për Zapatën, i cili nuk fal brenda zonës duke e dërguar topin në rrjetë. Pavarësisht humbjes, Milani shpallet kampione e dimrit në Seria A duke përfituar edhe nga ndalesa e Interit në barazim pa gola kundër Udineses.
Ishte një sfidë e vështirë për zikaltrit që vuajtën mungesën e hapësirave. Rastet nuk munguan as te friulanët që kanë jo pak cilësi në fazën e avancuar. Hakimi në krahun tjetër ishte rreziku kryesor, por marokeni nuk ishte i saktë në pasimin e fundit. /R.Lika-Koha Jone/