MILANO/ Këshilli Bashkiak kundër Interit dhe Milanit për stadiumin e ri
Në mes të tetorit, këshilli bashkiak i Milanos pritet të votojë projektin e ri të stadiumit që duhet të zëvendësojë “San Siron”, por nuk do të jetë aspak e thjeshtë. Nga 48 këshilltarë, vetëm dy janë të gatshëm që të miratojnë një nga projektet, ndërkohë që pjesa më e madhe është pavendosur.
Ky rezultat vjen edhe për shkak të fushatës mediatike të Interit dhe Milanit që njoftuan publikisht projektet e reja, “duke anashkaluar” politikën. Projektet “Anelli di Milano ” (nga studiot e Manica Sportium) dhe “Cattedrale” (nga studioja Populous) mbërritën pas një faze të parë seleksionimi, ku ishin fillimisht katër projekte.
Stadiumi i ri i Milanit dhe Interit kushton rreth 510 milionë euro, ndërkohë që është parashikuar një afat prej 4 vitesh për ndërtimin e tij. Ligji për ndërtimin e stadiumeve nuk parashikon detyrimin për të kaluar në këshillin bashkiak në këtë fazë paraprake, por komuna e Milanit ka dashur të dëgjojë mendimin e këshillit në mënyrë që t’i japë (ose jo) dritën jeshile për interesin e publikut. /R.Lika-Koha Jone/