
Mario Mitaj po fiton gjithnjë e më shumë hapësira në futbollin italian. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare ishte protagonist në fitoren e madhe të Genoas, që mposhti Juventusin me rezultatin 2-0, duke regjistruar një sukses të rëndësishëm përballë një prej skuadrave më të mëdha të Serie A.
Pas aktivizimit si titullar në ndeshjen e javës së kaluar, Mitaj mori sërish minuta të rëndësishme, duke u hedhur në fushë në fundin e pjesës së parë, pas dëmtimit të Ellertsson. Mbrojtësi shqiptar qëndroi në lojë për rreth 50 minuta, duke kontribuar në ruajtjen e avantazhit dhe në suksesin e çmuar të skuadrës gjenoveze.
Për Mitajn, këto minuta janë një sinjal pozitiv, pasi lojtari po fiton gradualisht besimin e stafit teknik dhe po përshtatet me ritmin e futbollit italian. Përballë Juventusit, ai pati mundësinë të tregonte vlerat e tij në një sfidë me peshë të veçantë.
Ndërkohë, Genoa konfirmoi formën pozitive, duke marrë një tjetër fitore të rëndësishme, këtë herë ndaj bardhezinjve me shifrat 2-0. Në krahun tjetër, Edon Zhegrova u aktivizua për 45 minuta. Sulmuesi kosovar provoi të krijonte disa momente rreziku në pjesën e dytë, por nuk arriti të ndryshonte fatin e takimit edhe për faj të Mitaj që e ndali në çdo aksion.
