Mohamed Salah shpallet “Lojtari i Vitit” në Premier League
Sulmuesi egjiptian i Liverpool-it, Mohamed Salah, është shpallur “Lojtari i Vitit” në Premier League për sezonin aktual, një vlerësim që e merr për herë të dytë në karrierën e tij, pas çmimit të parë të fituar në vitin 2018.
Me 28 gola dhe 18 asistime, Salah ka qenë një nga figurat kyçe në suksesin e Liverpool-it që këtë sezon arriti të fitojë titullin e 20-të kampion në Angli, duke barazuar kështu rekordin historik të Manchester United.
Egjiptiani 32-vjeçar ka ende mundësi të barazojë një tjetër rekord të rëndësishëm në ndeshjen e fundit të sezonit ndaj Crystal Palace. Me vetëm dy asistime larg, ai mund të arrijë kuotën e 20 asistimeve në një sezon, një rekord që aktualisht e ndajnë Thierry Henry dhe Kevin De Bruyne.
Ky çmim prestigjioz ndahet në bazë të votave të publikut dhe të një jurie ekspertësh. Performanca e jashtëzakonshme e Salah në fushë ka bërë që ai të triumfojë sërish pas gjashtë vitesh nga hera e parë.
KOHA JONË SONDAZH

