Morata tregon vuajtjet nga depresioni: Kisha turp të ecja me fëmijët e mi

Alvaro Morata, në një rrëfim prekës, ka treguar vështirësitë e tij, në luftën me depresionin. Sulmuesi spanjoll, ka kujtuar kohët e vështira në Spanjë, të cilat vinin shpesh për shkak të kritikave të mëdha të tifozëve. Në intervistën për “COPE”, Morata deklaroi se nga momenti i vështirë që po kalonte, kishte turp të ecte në rrugë me fëmijët e tij.

“Kur jeni në kohë të vështirë, si depresioni apo sulme paniku, nuk ka rëndësi se çfarë pune bëni. Ju keni një person tjetër brenda jush që duhet të luftoni çdo ditë dhe çdo natë. Për mua gjëja më e mirë ishte të largohesha nga Spanja, nuk durova më.

Po ndihesha shumë keq. Mendova se nuk do t’i vishja më këpucët dhe nuk do të dilja më në fushë. Po kaloja keq, arrita në atë pikë sa nuk mund të lidhja as lidhëset e këpucëve.

Tre muaj para Europianit po mendoja nëse mund të luaja sërish. Nuk e dija se çfarë po më ndodhte, është një çështje shumë e ndërlikuar dhe e ndjeshme. Është ai momenti kur kupton se ajo që do më shumë në botë është edhe ajo që urren më shumë.

Më vinte turp të ecja me fëmijët e mi në rrugë. Sa herë dilja me ta, kisha gjithmonë një episod, pa tension, me njerëz për diçka që kishte ndodhur në ndeshjet e mëparshme. Dhe në fund nuk doja të bëja pazar me ta, siç bën shpesh një baba me fëmijët e tij. Më vinte turp”, deklaroi Morata.

 

SHKARKO APP