Mos hidhni baltë mbi olimpizmin shqiptar
Nga Viron Bezhani/Lojërat Olimpike “Rio 2016” kanë pak kohë që janë mbyllur, evenimenti më i madh sportiv i vitit e ku edhe Shqipëria bëri paraqitjen e saj, të mirë dhe të zhurmshme, mes emocioneve dhe polemikave, duke u përpjekur të thotë fjalën e saj. Ka qenë një event që ka dhuruar gjithçka për sportin shqiptar, nga rezultatet e mira sportive te polemikat e fryra artificialisht. Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar është sulmuar jo pak herë gjatë Olimpiadës, thuajse gjithnjë me pa të drejtë, duke hedhur poshtë punën e bërë, dëmtuar sportistët dhe imazhin tonë. Ky shkrim është një analizë dhe përgjigje për gjithçka është bërë dhe është thënë padrejtësisht karshi nesh, për akuza pa fakte dhe për inate personale. Përgjigjja ndoshta është pak e vonuar, por e drejtë, e detyrueshme dhe me fakte.
Përgatitja për Olimpiadën
Kush mendon se vajtja në Lojërat Olimpike është e thjeshtë, apo aty shkohet për turizëm gabon. Për të prerë një biletë për në Olimpiadë duhet shumë mund e djersë, një punë disavjeçare, e lodhshme dhe me sakrifica, si nga ana e sportistëve, trajnerëve por edhe e drejtuesve. Për këtë arsye, KOKSH punoi mbi 3 vjet për këtë event, duke qenë partneri kryesor i sportistëve dhe Federatave. Janë të shumta trajnimet e kryera për sportistët më të mirë në vend, për trajnerët dhe Federatat, duke u dhënë të gjithëve mundësi të stërviten në kushte më të mira. Atletika, boksi, peshëngritja, mundja, qitja e mjaft sporte të tjera kanë përfituar nga kjo mbështetje e KOKSH, që bëri maksimumin e tij për të marrë më të mirën në “Rio 2016”.
Rezultatet e Olimpiadës
Dhe në vijim të përgatitjes dhe punës së bërë për disa vite me radhë, erdhi Olimpiada, guri i provës për sportistët, trajnerët por edhe për ne drejtuesit. Dhe rezultatet ishin të mira e aspak zhgënjyese. Peshëngritja arriti rezultatet e saj më të mira në historinë olimpike të 15 viteve të fundit: Një vend i pestë me Calen dhe një vend i tetë me Velin. Noti arriti objektivat e tij, me notarët që vendosën rekorde kombëtare dhe Sidni Hoxhën që përmirësoi rezultatin e 4 viteve më parë. Edhe atletika ishte e shkëlqyer, pavarësisht dëmtimit të Gegës, që gjatë këtij viti arriti majat në çdo aktivitet ku mori pjesë, ndërsa Smajlaj ka thyer disa tabu. Ndaj, rezultatet e ekipit olimpik shqiptar janë të mira e premtuese, ndaj dua të ndaj një falënderim për sportistët dhe trajnerët e tyre për punën e bërë ndër vite.
Polemikat e krijuara
Natyrisht që njolla e kësaj Olimpiade për Shqipërinë janë polemikat e hapura pak ditë para fillimit të saj e që vazhduan edhe gjatë garimit. Më vjen keq të them se ato ishin polemika të krijuara artificialisht, që nuk i shërbenin askujt e aq më tepër sportistëve që u përfshinë pa e kuptuar se ishin vetë viktimë e tyre. Në vend që të mendonin për stërvitjen dhe garën ranë pre e një amullie pa fund e krye, në interes të askujt dhe në dëm të të gjithëve.
Cështja Briken Calja – Polemikat për dhënien e bursës për peshëngritësin Briken Calja janë të stisura, pasi vetë sportisti, unë, KOKSH, Federata e të gjithë e dinë se ai nuk e përfiton dot atë, për shkak të dopingut. Ajo bursë ka shkuar te Federata dhe është përmendur emri i Cales vetëm që të mos deklarohet se ai ka qenë më doping. Federata ka qenë e lirë ta menaxhonte atë bursë.
Kostumi i Evangjeli Velit – Kush mendon se KOKSH nuk ka dëshirë apo para për të bërë një kostum për shtangisten e kualifikuar në “Rio 2016” në minutën e fundit le të qeshë vetë me këtë barcaletë. Fati na solli në derë një kualifikim shtesë dhe mendoj se brenda pak orësh që kishim në dispozicion bëmë maksimumin, duke qenë në dispozicion të shtangistes që erdhi me urgjencë nga Greqia. Për pak orë bëmë akreditimin, premë biletëm dhe i dhamë uniformat e stërvitjes e qëndrimit në Fshatin Olimpik. Ajo realizoi ëndërrën për të qenë në Olimpiadë, pas 4 vitesh i urojmë të jetë edhe në parakalim.
Garat e Sidni Hoxhës – Një notar model dhe njeri korrekt si Sidni Hoxha e shqetësuan atë dhe KOKSH njerëzit e tij, babai i tij, që shtyu mediat të hidhnin baltë mbi punën tonë nga padija. Korrespondenca me Sidnin ka disa muaj që ka nisur dhe vetë notari kuptoi se në Rio nuk ka shkuar me normë olimpike të kapur, por me ftesë. Federata Ndërkombëtare e Notit nuk i ka njohur dy “Normat B” të kapura nga notari Hoxha, duke deklaruar se Shqipëria shkon në Olimpiadë me dy ftesa: Një mashkull dhe një femër. Pas komunikimit të shpeshtë me notarin dhe sqarimin e situatës, për të cilin notari kërkoi ndjesë për keqkuptimin dhe falënderoi KOKSH për sqarimin, vetë Sidni vendosi të garojë në 50 metra dhe jo në 100 metra. Ndaj KOKSH nuk ka neglizhuar asnjë garë të notarit. Edhe koha e vendosur nga FINA nuk është aspak faji i KOKSH, por ndoshta lapsus i FINA-s Ose ajo nuk e ka njohur kohën e dhënë nga notari, pasi ne disponojme dokumentat qe kemi cuar per regjistrim me firmen e presidentit te federates dhe te sekretarit te KOKSH ndaj babai i tij ka gënjyer në lidhje me neglizhencën tonë.
Polemikat me ftesën te mundja – Kush mendon se KOKSH neglizhon një ftesë për në Olimpiadë gabon, pasi jemi ne të parët ata që duam të përfaqësohemi me një delegacion më të madh. E para: KOKSH ka bërë maksimumin për të përfituar çdo ftesë të mundshme, në çdo sport, por pas korrespondencës me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (IOC) na është prerë çdo shpresë për ftesë. Arsyeja: Shqipëria ka patur mbi 8 sportistë në Olimpiadën e mëparshme dhe nuk ka asnjë të drejtë të përfitojë ftesë ekstra nga IOC. E dyta: Deklarata e drejtuesve të mundjes shqiptare se nuk jemi përpjekur për ftesë në këtë sport dhe se ata kanë marrë garanci nga ndërkombëtarët për një ftesë janë të gënjeshtërta. Federata Ndërkombëtare e Mundjes (FILA) ka hedhur poshtë çdo deklaratë nga z.Martin Biba se ka premtuar një ftesë për mundjen shqiptare. Ky është një skandal, pasi një president Federate gënjen, duke përfshirë në këtë mashtrim edhe ndërkombëtarët, ndaj çështja do të ndiqet ligjërisht.
Buxheti për Olimpiadën
Për këtë event madhor sportiv KOKSH nuk ka kursyer asnjë qindarkë, duke vënë në dispozicion të sportistëve, jo vetëm për periudhën e Lojërave Olimpike por për disa vite radhazi, çdo mundësi financiare. Jemi përpjekur që sportistët dhe Federatat t’i mbështesim financiarisht apo me trajnime jashtë Shqipërisë, në kushte më të mira. Federata e Boksit, Notit, Peshëngritjes, Atletikës, Ciklizmit, Xhudos etj., janë mbështetur financiarisht në përpjekje për të kualifikuar sa më shumë sportistë për në Olimpiadë. Nuk është kursyer në asnjë drejtim për të bërë një paraqitje të mirë në Rio, edhe duke blerë biletë ekstra për shtangisten Veli në momentet e fundit, apo të ndryshojmë datat e biletës për atleten Gega, vetëm që ata të bëjnë një paraqitje sa më të mirë. Një shifër: Shuma e harxhuar në tri vitet e fundit për Olimpiadën për sportistët e Federatat është gati 170 mijë dollarë.
Puna për të ardhmen
Shqipëria uli siparin e një aktiviteti të rëndësishëm që zhvillohet një herë në 4 vjet, me të mirat e të këqijat e tij, me rezultatet në garë dhe polemikat e tij. Koha ecën shumë shpejt, ajo fluturon, madje për një sportist në aktivitet çdo ditë është e rëndësishme për të arritur objektivin e tij. Edhe për ne si KOKSH çdo ditë është e rëndësishme për të menduar për të ardhmen, ndaj dhe kemi nisur që tani të planifikojmë për aktivitetet e ardhshme. Vitin tjetër janë Lojërat Mesdhetare në Spanjë, një tjetër eveniment i rëndësishëm, ku Shqipëria synon të përfaqësohet me një delegacion të madhdhe të arrijë disa medalje. Më pas janë Lojërat Olimpike Europiane (viti 2019), ku synojmë sërish medalje dhe rezultate të mira. Këto dy evente do të jenë teste dhe trampolina për një aktivitet tjetër madhor, Olimpiadën e vitit 2020 në Tokio.
Ndaj dhe ne shohim nga e ardhmja, duke mësuar nga kjo që kemi kaluar ndër vite dhe mbi të gjitha nga ajo që përjetuam e kaluam në Rio. Ky event në Brazil na mësoi shumë gjëra edhe pse polemikat artificiale u munduan të mbulojnë vlerat e mëdha të sportit, të lëvizjes olimpike, të bashkëpunimit dhe dëshirës për t’u marrë me sport. Kemi nisur që tani të bashkëpunojmë me Federatat dhe Ministrinë e Arsimit dhe Sportit për aktivitet e ardhshme, do të vazhdojmë të mbështesim sportistët për t’i trajnuar jashtë. Ne duam që flamuri shqiptar të ngrihet sa më lart në çdo event sportiv, duke u dhuruar të gjithë shqiptarëve një tjetër medalje olimpike ashtu si bëri Majlinda Kelmendi. Ndaj mbështeteni sportin, edhe duke e kritikuar atëherë kur gabojmë, por jo duke hedhur baltë për qëllime personale dhe inate, duke shëmtuar imazhin e tij. Sporti është vetë jeta, ndaj ai duhet të bashkojë dhe jo të përçajë njerëzit.
KOHA JONË SONDAZH

