Muçi: Nuk mendoj për merkaton, dua të shënoj ndaj Apolonisë
Ernest Muçi është sulmuesi kryesor te Tirana, dhe me paraqitjet e tij të mira ka tërhequr vëmendjen e disa klubeve të mëdha europiane, ndaj shumë shpejt mund të largohet nga Kategoria Superiore.
Sulmuesi i talentuar ishte sot në krah të trajnerit Nevil Dede në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes me Apoloninë, ku theksoi se synon të shënojë dhe t’i japë fitoren ekipit. Muçi shmangu zërat e merkatos dhe pranoi se ndihet shumë mirë me Tiranën e se është maksimalisht i përqendruar të bëjë sa më mirë.
Jeni në dijeni të ofertave që kanë ardhur për kartonin tuaj?
Jam i përqendruar te ndeshja e nesërme. Do mundohemi të marrim sa më shumë pikë dhe ta luajmë sa më mirë. Jemi një grup që po arrijmë të bashkohemi. Jam i lumtur këtu, shpresoj të bëj sa më shumë gola dhe të paraqitem sa më mirë.
Cili është pozicioni i preferuar në fushën e lojës?
Nuk kam një pozicion të preferuar. Numri 10 është pozicioni më i mirë për mua, por nuk ka rëndësi ku luaj, pasi mjafton të jem në fushë. Formacionet e trajnerit kanë qenë shumë të mira, pasi edhe lojtarët e tjerë ndihen mirë, kështu që s’kemi pse ndryshojmë gjë.
I qëndroni ende objektivit për të shënuar 15 gola këtë sezon?
Shpresoj shumë që ta arrij, pasi kampionati është ende i gjatë dhe kemi edhe shumë ndeshje përpara. Gjithsesi më e rëndësishme është të bëjmë mirë si ekip dhe të renditim sa më lart Tiranën.
Sa e vështirë do të jetë ndaj Apolonisë?
Është ekip që lufton shumë. Fituan në ndeshjen e fundit dhe vijnë të motivuar sepse luajnë ndaj Tiranës, ndaj ne do fokusohemi sa më shumë në këtë ndeshje dhe do jemi shumë të përqendruar.