Muller tërhiqet nga Kombëtarja gjermane, pas 14 vitesh të mbushura me suksese dhe dështime

Thomas Muller vendos zyrtarisht të tërhiqet nga skuadra kombëtare gjermane, pas 14 vitesh të mbushura me suksese dhe dështime. Lajmin e ka konfirmuar vetë numri 13, përmes një postimi në rrjete sociale.

Ndeshja e tij e fundit ishte humbja kundër Spanjës në çerekfinalet e Euro 2024, ku Muller u aktivizua në fund të pjesës së dytë. Në total ai ka luajtur 131 ndeshje me Gjermaninë, duke shënuar 45 gola.

Suksesi i vetëm me Gjermaninë është fitimi i Kupës së Botës në vitin 2014 në Brazil. Gjatë atij turneu, Muller shënoi 5 gola, po aq sa kishte realizuar katër vite më parë në Afrikën e Jugut, duke u futur në listën e golashënuesve më të mirë të historisë së turneut.

Nuk dihet ende nëse Muller do të vazhdojë të jetë pjesë e Bayern Munchen në të ardhmen, por i ka mbetur edhe një vit nga kontrata aktuale. Në mediat gjermane është raportuar shpesh se ai shihet nga drejtuesit e klubit bavarez si një figurë e përshtatshme për të marrë një rol teknik në klub pasi të lërë futbollin e luajtur.

SHKARKO APP