Myrto Uzuni shkëlqen në MLS: Gol dhe asist në fitoren e Austin ndaj LA Galaxy
Myrto Uzuni duket se ka gjetur më në fund formën e tij më të mirë në kampionatin amerikan MLS. Pas një periudhe të vështirë përshtatjeje me ekipin e Austin FC, sulmuesi i Kombëtares shqiptare ka filluar të justifikojë investimin prej 10 milionë eurosh që klubi amerikan bëri për ta transferuar nga Granada.
Në përballjen e fundit ndaj Los Angeles Galaxy, Uzuni ishte padyshim protagonisti kryesor në fitoren 2-1 të Austinit në transfertë. Sulmuesi kuqezi zhbllokoi ndeshjen në minutën e 40-të me një goditje precize nga jashtë zone, duke shënuar golin e tij të dytë sezonal në kampionat.
Në pjesën e dytë, në minutën e 63-të, Uzuni tregoi edhe një herë klasin e tij, kur pas një aksioni personal brenda zonës kundërshtare, shërbeu një asist të shkëlqyer për Wolf, i cili nuk e pati të vështirë ta çonte topin në rrjetë. Ky ishte asisti i dytë për Uzunin në këtë sezon.
Pavarësisht golit të shënuar nga LA Galaxy në minutat shtesë, ata nuk arritën të ndalin fitoren e Austinit, që festoi me meritë këtë trepikësh të rëndësishëm – një fitore që mban fort firmën e Myrto Uzunit.

KOHA JONË SONDAZH

