Napoli ndalet ndaj Genoas, por mbetet ende në krye të Seria A
Napoli nuk ka shkuar më shumë se një barazim 2-2 ndaj Genoas në javën e 36-të të Serie A, duke e mbajtur kryesimin e kampionatit, por me një diferencë minimale prej vetëm një pike ndaj Interit, kur kanë mbetur edhe dy ndeshje deri në fund të sezonit.
Takimi nisi mirë për vendasit, që kaluan në avantazh në minutën e 15-të me një goditje diagonale të Romelu Lukakut, pas një asistimi nga Scott McTominay. Megjithatë, Genoa arriti të barazojë në minutën e 32-të pas një aksioni të krijuar nga talenti Ahanor, i cili detyroi portierin Alex Meret të shënonte autogol pas një devijimi të pafat.
Në pjesën e dytë, Napoli riktheu avantazhin pas një kombinimi të bukur mes McTominay dhe Giacomo Raspadori, që realizoi golin e dytë për të kaltrit. Por festa u prish në minutën e 84-t, kur Vasquez barazoi gjithçka me një goditje të saktë me kokë, duke i dhënë një pikë të çmuar skuadrës mike.
Ky barazim i bën javët e fundit të kampionatit edhe më dramatike, pasi Napoli tani ka vetëm një pikë më shumë se Interi ndjekës, ndërsa gara për titullin mbetet e hapur deri në fund. /Koha Jonë/
KOHA JONË SONDAZH

