Ndahet nga jeta kampioni dhe rekordmeni i Vllaznisë
Një lajm i hidhur ka ardhur për sportin shqiptar. Është ndarë dje nga jeta në moshën 77-vjeçare sportisti i atletikës, kampioni dhe rekordmeni i saj Llesh Vuksani.
Ai ka lindur në Shkodër më 12 gusht 1943 dhe zgjedh të merret me atletikë në rininë e tij, madje duke qenë shumë i suksesshëm. Për vite me radhë ishte një nga sportistët më të mirë që kishte shumësportëshi në Shkodër. Llesh Vuksani ishte pjesë e ekipit të atletikës së Vllaznisë në disiplinën e hedhjes së shtizës. Për 5 vite me radhë Llesh Vuksani u shpall kampion kombëtar duke qenë absolute në hedhjen e shtizës.
Sportin e nis që në një moshë të hershme ndërsa me Vllazninë u angazhua që në vitin 1965 duke vijuar kontributin e tij si një prej sportistëve më cilësor të shumësportëshit deri në vitin 1975. Për 10 vite me radhë tregoi aftësitë e tij duke arritur rezultate të larta dhe duke shkëlqyer në disiplinën e hedhjes së shtizës.
Llesh Vuksani shumë shpejt bëri për vetë tifozë të shumtë të Vllaznisë të cilët ndiqnin të gjitha garat duke shijuar forcën dhe egon e një sportisti cilësor por edhe profesionalizmin.
Në pak kohë u bë ndër sportistët më të dashur dhe ende kujtohet për fuqinë që kishte në hedhjen e shtizës. Përveçse një sportist cilësor ishte edhe një person shembullor në ekipin kuqeblu. Per disa vite me rradhë, Llesh Vuksani ka qenë edhe trajner ne Klubin Vllaznia.
Në vitin 2019 ai u vlerësua si një prej atletëve më të mirë të shekullit në 100-vjetorin e klubit Vllaznia bashkë me emra të tjerë të njohur.