Ndeshja Skënderbeu-Tirana, policia publikon masat e marra
Policia e Korçës ka publikuar masat për zhvillimin normal të ndeshjes së futbollit midis ekipeve Skënderbeu-Tirana. Më datë 14.12.2016, ora 17.00 në Stadiumin e qytetit të Korçës, zhvillohet ndeshja e futbollit ndërmjet ekipeve të Skënderbeut dhe Tiranës, e vlefshme për Kampionatin Kombëtar të Futbollit.
Nga ana e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, janë marrë masat për garantimin e zhvillimit normal të kësaj ndeshjeje.
Në këtë kuadër përveç shërbimeve policore që janë të pranishme në gjithë ambientet e stadiumit, me qëllim parandalimin e çdo incidenti, dëmtimin e pronës së shtetasve dhe sigurimin e rregullit e lëvizjes së tifozëve, nga ana e strukturave të policisë është vendosur : Ndalimi i qarkullimit dhe parkimit të automjeteve, nga ora 12.00 e datës 14.12.2016, deri në përfundim të ndeshjes, në rrugën “Niko Kovaçi” dhe unazën përreth Stadiumit.
Po ashtu nuk do të lejohen tregtarët ambulantë në këtë unazë dhe në lulishtet përpara dhe pas Stadiumit.
Do të ndalohet përdorimi i pijeve alkoolike, shisheve të qelqit, fishekzjarrëve, materialeve të tjera piroteknike, si dhe mbajtja e çelësave, çakmakëve, monedhave metalike dhe objekteve të tjera të forta të ndaluara në mjediset e Stadiumit.
Nuk do të lejohet hyrja në Stadium e fëmijëve nën moshën 14-vjeç, edhe nëse janë të shoqëruar dhe pajisur me biletë.
Qytetarët që janë pajisur me biletë, të marrin masa për paraqitjen në ambientet e Stadiumit përpara fillimit të ndeshjes, duke llogaritur dhe kohën e procedurave të kontrollit, pasi në orën 17.00, do të ndalohet hyrja e mëtejshme në Stadium. Drejtoria Vendore e Policisë Korçë i kërkon qytetarëve/tifozëve, një sjellje korrekte, të kulturuar, si edhe shmangien e veprimeve të cilat do të cenonin rendin publik.
KOHA JONË SONDAZH

