Ndreu: S’i dhamë asnjë mundësi Kukësit, Da Silva lojtari më i mirë që kam stërvitur!
Kastrioti befasoi Kukësin në “Loro Boriçi”, pasi e mposhti me rezultatin minimal 0-1 dhe kur ka përfunduar gjysma e kampionatit e sheh veten me dyfishin e pikëve të skuadrave të vendit të fundit. Trajneri Ramadan Ndreu u shfaq mjaft i kënaqur me paraqitjen e të tijve dhe theksoi se tani që ka në dispozicion të gjithë futbollistët, skuadra shkon më lehtë te rezultatet pozitive.
“Bardhi është një lojtar shumë cilësor, që bën shumë mirë të dy fazat e lojës. Vjen nga një dëmtim dhe nuk është ende në maksimumin e tij, por di të bëjë mirë punën para dhe të ndihmojë shumë skuadrën në fazën mbrojtëse. Është një nga ata futbollistë që është kënaqësi t’i kesh në skuadër.
Unë e pata thënë gjithmonë që na patën penalizuar dëmtimet dhe se pasi të rikuperonim të gjithë lojtarët, do të ishim shumë më mirë në fushë. Tani kemi grupin e plotë dhe po marrim rezultate si në fillim të sezonit. Është rritur besimi, vrapojmë shumë dhe bëjmë mirë të dy fazat e lojës, ndaj edhe sot nuk i lamë asnjë mundësi Kukësit.
Devid Da Silva? Ai erdhi te ne pas një periudhe pushimi 5-6 mujore dhe kishte një gjendje fizike shumë të dobët, por shtyrja e kampionatit na bëri favor për të punuar dhe për t’i dhënë ngarkesën graduale. Me kalimin e javëve kuptova se ka shumë cilësi dhe jep gjithmonë maksimumin. Ka luajtur thuajse në çdo ndeshje dhe tërheq skuadrën para e sakrifikon shumë, ndaj e falënderoj për atë që po jep. Është lojtari më i mirë që kam stërvitur në sulm”, deklaroi Ndreu.