Në Bjellorusi futbolli nuk ndalet, Llullaku: S’e kuptoj pse janë kaq moskokëçarës!

Edhe pse jemi në një periudhë të vështirë kur të gjitha kampionatet janë ndalur, në Bjellorusi futbolli vijon normalisht, madje edhe me tifozë. Sulmuesi shqiptar, Azdren Llullaku është shprehur shumë i acaruar me këtë vendim, teksa është shfaqur i habitur për këtë qetësi.

“Shumë e çuditshme. Ndoshta këtu nuk e kuptojnë ende sa serioze është situata edhe pse Bjellorusia ka shënuar më shumë se 50 raste infeksioni. Sinqerisht, nuk e kuptoj pse futbolli nuk është ndalur, nuk e kuptoj se si mund të jesh kaq i qetë dhe moskokëçarës ndaj një situate që po përfshin të gjithë botën. Kështu nuk shkon.

Kudo luhet me dyer të hapura, sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Por kjo situatë nuk është vetëm me futbollin. Fëmijët shkojnë në shkollë, njerëzit ecin në rrugë, shkon të blesh si normalisht… me pak fjalë gjithçka është normale.

Ne lojtarët që kemi familjet në Europë jemi të shqetësuar, jo shumë për vetën se jemi të rinj dhe të stërvitur, ndoshta rrezikojmë më pak, sesa për familjet tona. Ekziston frika se mund t’i transmetojmë virusin familjarëve ndaj nuk është e drejtë të rrezikohet kaq shumë”, deklaroi Llullaku.

 

SHKARKO APP