Në Bjellorusi futbolli vijon normalisht, Llullaku: Nuk po kuptohet situata tragjike!
Azdren Llullaku, futbollisti i kombëtares dhe Shakhtar Solygorsk në Bjellorusi, foli për televizionin A2 në lidhje me situatën në një nga vendet e pakta që vijon jetën normalisht, pavarësisht koronavirusit.
“Situata është shumë në rregull, sikur të mos ekzistojë fare virusi. Jam pak i habitur, por personalisht mundohem të kujdesem sa më shumë, edhe pse jeta vazhdon normalisht në Bjellorusi. Ne sapo kemi filluar kampionatin dhe ndeshjen e parë e kemi luajtur me tifozë.
Duket se edhe ndeshja e dytë do të luhet me tifozë. Personalisht, nuk mendoj se është zgjedhje e mirë. Këtu nuk po kuptohet ende situata tragjike me koronavirusin”, shtoi Llullaku.
Futbollisti theksoi se pavarësisht 80 personave të prekur, frika nuk ekziston në Bjellorusi, por sipas tij, duhen marrë masa që ata 80 persona të mos shumëfishohen si në vendet e tjera.