Në Itali bëjnë gati planin për rikthimin e tifozëve në stadium
Seria A u rikthye në fushë në mesin e muajit qershor, në stadiume me dyer të mbyllura dhe që atëherë gjithçka ka shkuar në mënyrë perfekte. Pikërisht për këtë arsye, në mbledhjen e fundit të Asamblesë së Ligës është propozuar hartimi i një protokolli që do t’i hapte udhë pranisë së tifozëve në stadiume, natyrisht me rregulla të përcaktuara qartë.
Bëhet fjalë për një protokoll që pritet të miratohet këto ditë dhe të dorëzohet në Federatën e Futbollit, ku presidenti i saj Gabriele Gravina do të provojë më pas të bindë institucionet qeveritare që të pranojnë hapjen e dyerve të stadiumeve.
Sipas planit synohet një hapje graduale, fillimisht me një numër minimal të pranishmish, që do të zbatojnë edhe rregullat strikte të përcaktuara në protokoll dhe më pas me shtimin e tifozëve në shkallët e stadiumit, në mënyrë graduale.
Fakti që nuk ka pasur asnjë problem gjatë këtyre javëve, i ka bërë optimistë klubet e kampionatit italian se do të mund të rikthejnë tifozët në shkallët e stadiumit brenda këtij sezoni, për të synuar normalitetin me sfidat e sezonit të ri.