Në pritje të shortit të Nations League, Kombëtarja në vazon e parë të Ligës C
Më 12 shkurt do të hidhet shorti i edicionit të pestë të Nations League, ku Kombëtarja shqiptare dhe ajo e Kosovës do të mësojnë grupet dhe kundërshtarët e tyre
Shqipëria, për shkak se në edicionin e kaluar u rendit e fundit në Grupin e Ligës B, zbriti një kategori dhe do të garojë në Ligën C. Në këtë ligë, skuadra e drejtuar nga Sylvinho do të jetë në vazon e parë, duke qenë një prej ekipeve me koeficientin më të lartë në Ligën C. Në këtë vazo, bashkë me Kombëtaren tonë janë Islanda, Mali i Zi dhe Kazakistani. Në vazot e tjera të Ligës C janë Finlanda, Sllovakia, Bullgaria, Armenia, Bjellorusia, Ishujt Faroe, Qipro, Estonia, Moldavia, San Marino, si dhe skuadrat fituese nga playoffi Letonia ose Gjibraltari dhe Luksemburgu ose Malta
Ndërsa Kosova do të garojë në Ligën B dhe është pozicionuar në vazon e katërt, së bashku me Suedinë, Maqedoninë e Veriut dhe Irlandën e Veriut. Skuadrat e tjera të Ligës B janë Skocia, Hungaria, Polonia, Izraeli, Zvicra, Bosnje Hercegovina, Austria, Ukraina, Sllovenia, Gjeorgjia, Irlanda dhe Rumania. Sipas procedurës së Nations League, fitueset e Ligave ngjiten në kategori më të larta, ndërsa ekipet që renditen të fundit zbresin një ligë më poshtë. Po ashtu, zhvillohen edhe ndeshje playoff për ngjitjen ose rënien nga një kategori në tjetrën, veçanërisht në Ligat C dhe D
Edicioni i pestë i Nations League nis këtë vit dhe risia është se katër sfidat e para do të zhvillohen midis 24 shtatorit dhe 6 tetorit 2026, ndërsa dy sfidat e fundit do të luhen në periudhën 12-17 nëntor 2026. Ndeshjet çerekfinale dhe playoff për ngjitjen ose rënien në Ligat A dhe B do të zhvillohen më 25-30 mars 2027, ndërsa ndeshjet e playoff-it të Ligave C dhe D janë të planifikuara më 23-28 mars 2027. Faza finale e edicionit të pestë të Nations League do të luhet më 9-13 qershor 2027
KOHA JONË SONDAZH

