Në Serbi e quajnë “tradhtar”, Djokovic largohet për të jetuar në Athinë
Novak Djokovic ka vendosur të nisë një kapitull të ri të jetës së tij larg Serbisë, duke u zhvendosur së bashku me familjen në Athinë. Lëvizja e papritur e kampionit vjen pas tensioneve të krijuara me qeverinë e Aleksandar Vuçiç, e cila e ka kritikuar ashpër për mbështetjen që i dha protestave studentore në Beograd, ku kërkoheshin zgjedhje të reja.
Lidhja e Djokovic me atdheun e tij ka qenë gjithmonë shumë e fortë, vetëm pak muaj më parë ai festoi me krenari medaljen e artë në Lojërat Olimpike “Paris 2024” duke e dedikuar Serbisë. Megjithatë, situata ka marrë një kthesë dramatike. Nga “djali i artë” dhe krenaria kombëtare, 37-vjeçari është etiketuar tashmë si “tradhtar” nga një pjesë e opinionit publik dhe politik në vend.
Për këtë arsye, sipas mediave greke, Djokovic ka marrë vendimin që të largohet nga Beogradi dhe të vendoset në kryeqytetin grek, ku kërkon qetësi dhe stabilitet për familjen e tij.
Pavarësisht kësaj përplasjeje politike, Djokovic mbetet një prej sportistëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave dhe vazhdon të përgatitet për sfidat e reja në fushën e tenisit, tashmë nga baza e tij e re në Athinë.
KOHA JONË SONDAZH

