Newcastle zhyt në krizë të thellë United, fiton me “poker” golash

Kriza e Manchester United thellohet edhe më tej, teksa “Djajtë e Kuq” u mposhtën me shifrat 4-1 nga Newcastle. Skuadra e drejtuar nga Ruben Amorim doli pa pikë dhe me shumë pikëpyetje nga kjo sfidë, e cila konfirmon formën e dobët të sezonit aktual.
Takimi nisi me ritëm të lartë dhe vendasit kaluan të parët në avantazh në minutën e 24-të me Sandro Tonalin. Reagimi i United ishte i menjëhershëm, me Alejandro Garnacho që barazoi shifrat në minutën e 37-të.
Por pjesa e dytë ishte totalisht nën kontrollin e “magpies”. Harvey Barnes realizoi një dopietë, ndërsa Bruno Guimaraes vulosi fatin e ndeshjes me një tjetër gol, duke i dhënë Newcastle fitoren e katërt radhazi.
Skuadra bardhezi ngjitet në vendin e katërt të renditjes me 56 pikë, duke forcuar pozitat në zonën Champions. Manchester United zhytet në vendin e 14-të me vetëm 38 pikë, duke shënuar një nga sezonet më të dobëta në vitet e fundit.