Nga Prizreni në rrugën drejt NBA-së, kush është shqiptari Erxhan Osmani që po shkëlqen te Turqia
Europa flet për Erxhan Osmanin. Basketbollisti shqiptar nga Bajram Curri është kthyer në yllin e ri të basketbollit evropian, pas paraqitjes spektakolare në gjysmëfinalen e Eurobasket 2025.
Në fitoren historike të Turqisë kundër Greqisë 94:68, Osmani shkëlqeu me 28 pikë, gjashtë kërcime dhe dy asistime, duke u shpallur “Lojtari i ndeshjes” dhe duke e udhëhequr skuadrën drejt finales së madhe kundër Gjermanisë. Performanca e tij u vlerësua si një nga më të mirat e karrierës dhe i hapi dyert për t’u përmendur në mediat më prestigjioze evropiane e botërore. Në finale ai nuk arriti të bënte diferencën ndaj Gjermanisë, pasi në 26 minuta aktivizim shënoi vetëm dy pikë.
Nga Kosova në elitën evropiane
Osmani, i lindur më 4 gusht 1998 në Bajram Curr, bëri hapat e parë në basketboll në Prizren, me klubin Junior 06. Në moshën 15-vjeçare u transferua në Turqi, ku u bashkua me Bandirman, për të vijuar më pas tek Beşiktaş, Darüşşafaka dhe sot tek gjiganti Anadolu Efes.
Në vitin 2021, me miratimin e FIBA-s, ai mori të drejtën të përfaqësojë kombëtaren turke, ku tashmë është një nga shtyllat kryesore. Për shqiptarët, ai mbetet simbol krenarie dhe shembull i suksesit në arenën ndërkombëtare.
Ish-basketbollisti kosovar, Muhamed Thaçi (Muja), ka ndarë një detaj interesant nga e kaluara e Osmanit. Ai theksoi se meritat për fillimet e tij i takojnë trajnerit Ramush Rushiti, duke zbuluar se në fillim Anadolu Efes nuk e kishte pranuar. “Banviti e mori menjëherë, ndërsa sot Efes paguan mbi 1 milion euro për ta pasur në skuadër,” u shpreh Thaçi.
Ai shtoi me bindje: “Shumë shpejt e shohim edhe në NBA.”
Nga një sallë e vogël në Prizren deri në finalen e madhe evropiane, rrugëtimi i Erxhan Osmanit është një histori e vërtetë frymëzimi që dëshmon se pasioni dhe puna e palodhur i kthejnë ëndrrat në realitet.

KOHA JONË SONDAZH

