Nga takimi me Kaka dhe Pato-n, Edon Zhegrova sot do të sfidojë Milanin
Ishte viti 2012 kur një djalosh i vogël nga Prishtina, Edon Zhegrova, mbante me krenari fanellën e Milanit dhe një trofe të fituar në një turne fëmijësh. Në kryeqytetin e Kosovës, një Kamp i organizuar nga Milan ndryshoi disi rrjedhën e jetës së tij. Aty, Zhegrova nisi ta ndjejë më fort dashurinë për futbollin italian, atë që e kishte ndjekur çdo të diel nga ekrani i shtëpisë dhe që, pas më shumë se një dekade, do ta çonte drejt Serie A.
Sot, kujtimet me ngjyrat kuqezi i përkasin së kaluarës, sepse e tashmja është bardhezi. Futbollisti kosovar është tashmë pjesë e Juventusit dhe ndeshja e radhës në “Allianz Stadium” kundër Milanit pritet të ketë një domethënie të veçantë për të, një rikthim emocional ndaj fillimeve të tij.
Pas një dëmtimi të gjatë që e mbajti larg fushave, Zhegrova është gati të tregojë potencialin e tij nën drejtimin e trajnerit Igor Tudor. Koha do ta tregojë nëse mund të bëhet një figurë kyçe për “Zonjën e Vjetër”, por ai tashmë e di çfarë do të thotë të presësh me durim.
“Për më shumë se një javë, 200 lojtarë të rinj u ftuan në Kampin e Milanit. Unë mora vesh për të në minutën e fundit dhe u regjistrova i fundit, por në fund dola i pari mes të gjithëve,” kujtonte Zhegrova në një intervistë të mëparshme.
“Më ftuan të vizitoja ‘San Siron’, ku takova Kaka dhe Pato dhe pashë një ndeshje kundër Chievos. Ishte si të jetoja një ëndërr. Ende e mbaj mend nënën time me lot në sy.”
Nga ajo përvojë e paharrueshme në Prishtinë deri te sfida e sotme me Juventusin, Edon Zhegrova ka përshkuar një rrugëtim të jashtëzakonshëm. Dhe ndoshta pikërisht përballë Milanit, do të ketë mundësinë të kujtojë nga ku nisi gjithçka.
KOHA JONË SONDAZH

