Nga vendi i parë te i fundit, Shqipëria luan sonte “finalen” ndaj Ukrainës
Shqipëria zbret sonte në mbrëmje në fushën e lojës me objektivin për ta mbyllur të parët në grupin B1 në Ligën e Kombeve, por dhe rrezikun për të dalë të fundit.
Fitorja mund të mos i mjaftojë Shqipërisë për ta fituar grupin. Në këtë pikë fati duhet të jetë me kuqezinjtë, sepse për vendin e parë fitorja e Kombëtares duhet të shoqërohet me barazimin në sfidën Çeki-Gjeorgji. Nëse çekët fitojnë ata do të kenë një pikë më tepër se Shqipëria.
Skenari tjetër, ku Shqipëria humbet, do të bënte që Ukraina të na rrëmbejë vendin e tretë dhe të na zbresë në pozicionin e fundit. Kjo do të përkthehej në rënie automatike në Ligën C.
Sa i përket formacionit, dëmtimi i Asanit dhe rikthimi i Dakut, mund të shoqërohet me ndryshime në sulm. Në portë, mbrojtje dhe dyshen e mesfushës, trajneri Sylvinho pritet të mos ndryshojë asgjë, duke ia besuar Strakoshës, përpara të cilit do të rreshtohen Ismajli e Ajeti në qendër dhe Balliu e Mitaj nga krahët.
Ramadani, Asllani dhe Qazim Laçi do të konfirmohen në mesfushë. Për Asanin do të provohet deri në minutat e fundit, ndërkohë që nëse mungon vendin e tij pritet ta zërë Seferi. Bajrami do të jetë në krahun e majtë, ndërkohë që Tuci mund të fitojë balotazhin me Dakun, pasi pëlqehet më shumë nga braziliani.