Napoli zyrtarisht kampion i Italisë për herë të tretë në histori. Festë e madhe, por 1 i vdekur. Dhjetra të plagosur
Napoli është zyrtarisht kampion i Italisë për sezonin 2022-2023, duke koleksionuar titullin e tretë kampion në historinë e saj. Skuadra e Spalletit mori një pikë në transfertën ndaj Udineses duke barazuar në shifrat 1-1, por që ishte e mjaftueshme për të nisur festën.
Ndeshja nisi në malore për Të Kaltrit, pasi vendasit do të kalonin në avantazh që në minutën e 13-të falë një goli të shënuar nga Lovric. Napoli u kundërpërgjigj në fillimin e pjesës së dytë, me sulmuesin e saj kryesor, Victor Osimhen që do të gjente golin e barazimit. Rezultati më pas nuk do të ndryshonte deri në fundin e takimit.
Skuadra e Napolit këtë sezon ka koleksionuar 80 pikë në 33 javë, duke festuar titullin pas 33 vitesh.
Ndërkohë festa solli një të vdekur dhe dhjetra të plagosur.
Një person ka humbur jetën dhe tre të tjerë janë plagosur në Napoli, nga të shtënat me armë zjarri gjatë festimeve për fitoren e Scudettos .
26-vjeçari që humbi jetën u dërgua në spitalin Cardarelli në gjendje të rëndë, dhe nuk mundi që t’i mbijetojë plagëve të marra. Dinamika e asaj që ka ndodhur është ende duke u hetuar. Njerëz të tjerë u plagosën si pasojë e hedhjes së fishekzjarrëve.
Ndërkohë dhjetra persona kanë mbetur të lënduar rëndë edhe pas festimeve në fushë në fitoren kundër Udineses, që i dha Napolit dhe titullin kampion të shumëdëshiruar.
Sipas përfaqësuesve të klubit, personat e lënduar në stadium kanë marrë kryesisht fraktura si pasojë e rrëzimeve dhe jo e zënkave mes tyre.
/R.Lika-Koha Jonë/

KOHA JONË SONDAZH

