Nis epoka e Klopp te Gjermania, trajneri vendos disiplinë të hekurt
Epoka e re e Gjermanisë nën drejtimin e Jurgen Klopp ka nisur me ndryshime të rëndësishme. Ish-trajneri i Liverpoolit ka marrë përsipër detyrën për të rikthyer kombëtaren gjermane në nivelet më të larta, pas një periudhe të vështirë dhe eliminimit nga Paraguai në fazën e 1/16-ve të Botërorit, rezultat që i kushtoi postin Julian Nagelsmannit.
Klopp la rolin drejtues në strukturën e Red Bull dhe angazhimin si analist televiziv për të pranuar sfidën e re në stolin e Gjermanisë. Që në ditët e para, tekniku gjerman ka bërë të qartë se dëshiron të vendosë identitetin e tij, jo vetëm në aspektin sportiv, por edhe në mënyrën e organizimit të skuadrës.
Gjatë prezantimit, Klopp u dërgoi një mesazh të qartë mediave gjermane, duke paralajmëruar se ndërhyrjet në jetën e tij private apo sulmet ndaj familjes do të mund ta vinin në diskutim vazhdimin e aventurës së tij në kombëtare. Ndërkohë, një nga vendimet e para të Kloppit ishte mënyra e veçantë e organizimit të grumbullimit. Trajneri nuk publikoi vetëm një listë lojtarësh, por krijoi dy grupe të ndryshme, duke përfshirë gjithsej 44 futbollistë.
“Ne nuk kemi krijuar një skuadër A apo B. Duam t’i fitojmë të katër ndeshjet. E kam lënë derën të hapur dhe kam thënë se të gjithë ata që duan të jenë pjesë e skuadrës kanë një mundësi”, kishte deklaruar Klopp.
Kjo periudhë grumbullimi është shndërruar kështu në një laborator për trajnerin, i cili synon të mbledhë sa më shumë informacion dhe të vlerësojë profile të ndryshme lojtarësh përpara se të përcaktojë bazën e skuadrës. Por ndryshimet nuk kanë të bëjnë vetëm me përzgjedhjen e lojtarëve. Sipas Sport Bild, Klopp ka vendosur një regjim më të rreptë disiplinor në grumbullim.
Përpikëria është kthyer në një nga parimet kryesore. Darka është programuar në orën 19:00 dhe çdo vonesë shoqërohet me penalizim. Trajneri kërkon të forcojë ndjenjën e grupit dhe komunikimin mes futbollistëve, veçanërisht gjatë aktiviteteve të përbashkëta. Edhe përdorimi i telefonave celularë është kufizuar gjatë momenteve të caktuara, si masazhet dhe nxehjet. Gjithashtu, në grumbullime nuk do të lejohen më hyrjet e jashtme të parukierëve, ndërsa edhe vizitat e familjarëve do të reduktohen.
Klopp synon në këtë mënyrë të minimizojë shpërqendrimet dhe privilegjet individuale, duke vendosur në qendër të projektit të tij disiplinën, përqendrimin dhe frymën e grupit.

