“Një histori e madhe”, mediat në Argjentinë shkruajnë për largimin e Messit nga Albiceleste
Vendimi i Lionel Messit për t’i dhënë fund aventurës me kombëtaren e Argjentinës ka shkaktuar reagime të shumta në mediat ndërkombëtare. Në Argjentinë, lamtumira e kapitenit është përshkruar si fundi i një prej kapitujve më të jashtëzakonshëm në historinë e futbollit.
Gazeta e njohur argjentinase “Clarín” e cilëson epokën e Messit me kombëtaren si “një histori e bukur, me ulje-ngritje, një histori e madhe”.
Në analizën e saj, gazeta rikthen në vëmendje vitet e vështira që Messi përjetoi me Argjentinën, përpara se të arrinte sukseset e mëdha. Sipas “Clarín”, kapiteni arriti t’i shndërronte zhgënjimet dhe momentet e vështira në pikënisjen e një periudhe të artë.
Media argjentinase e krahason rrugëtimin e tij me atë të Odiseut, duke nënvizuar se një histori e madhe nuk mund të ndërtohet pa vështirësi, sakrifica dhe pengesa.
Messi përjetoi disa nga momentet më të dhimbshme të karrierës së tij me kombëtaren, përfshirë humbjet në finalet e mëdha, por në fund arriti të fitojë Copa América në vitin 2021, Kupën e Botës në 2022 dhe sërish Copa América në 2024.
“Messi, dhe tani?”
Në Spanjë, ndërkohë, fokusi është te e ardhmja e yllit argjentinas. Një prej mediave sportive spanjolle ngre pyetjen: “Messi, dhe tani?”
Me largimin nga kombëtarja, për tetë herë fituesin e “Topit të Artë” hapet një kapitull i ri. Messi ka ende kontratë me Inter Miami-n deri në vitin 2028 dhe tashmë mund të përqendrohet plotësisht te objektivat me klubin amerikan.
Një tjetër motiv i madh për argjentinasin mbetet edhe “Topi i Artë”, me Messin që mund të ketë një tjetër mundësi për të fituar çmimin prestigjioz individual.
Në Argjentinë, ndërkohë, largimi i tij ende duket i vështirë për t’u besuar. Pas më shumë se dy dekadash me fanellën “Albiceleste”, kombëtarja përgatitet të nisë një epokë të re, tashmë pa futbollistin që për shumë vite ishte fytyra, kapiteni dhe lideri i saj.
KOHA JONË SONDAZH

