Një legjendë e lindur – Historia e jashtëzakonshme e Kristiano Ronaldos, kampionit të madh të portugez

Kristiano Ronaldo është një legjendë e vërtetë e futbollit. Historia e tij është vërtet e jashtëzakonshme, që nisi si fëmijë në Portugali për të arritur majën e sportit

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama
U lind dhe u formua për të qenë i tillë.
Shumë shpejt duhet ta ketë kuptuar Kristiano Ronaldo se çdo të thotë të jesh legjendë.
Fati I tij, ndoshta, ka qenë dikush apo disa që e bindën se duhej të bëhej i tillë.
Ambicia dhe synimi ishin të përcaktuara që kur nisi të luante futbollin e fëmijëve, kur ecte rrugëve të Funçalit, apo kur bënte punët e shtëpisë.
E lindur shpejt edhe dëshira e tij për të pasur një trup prej Herkuli.
Emri Ronaldo iu vu nga babai Hoze, për nder të presidentit amerikan, Regan, që ishte aktori i tij i preferuar.
Pasi kaloi nëpër nivelin amator tek Andorinja dhe te klubi tjetër lokal, Nasional, në moshën 11-vjeçari fati dhe talenti e dërguan tek Sportingu i madh i Lisbonës.
Aty, e ardhmja e tij u përcaktua.
Kristiano e la shkollën në moshën 14-vjeçare për t’iu përkushtuar plotësisht futbollit.
Talenti i tij ra në sy të trajnerit rumun, Lashlo Bolonji, dhe Ronaldo u bë i pari lojtar tek bardhëjeshilët që brenda një sezoni kaloi nga U16, U17, U18, ekipi B dhe në skuadrën e parë.
Liverpuli, Barcelona dhe Arsenali po mendonin ta merrnin, por dikush tjetër u tregua më I shpejtë.
Në gusht 2003, Mançester Junajtid erdhi të luante një ndeshje për të përuruar stadiumin e ri të Sportingut, dhe Kristiano shkëlqeu.
Sër Aleks Ferguson e mori menjëherë në “Old Traford”.
I pari portugez tek Junajtid, ai u bë adoleshenti më i shtrenjtë në historinë e futbollit anglez i blerë për më shumë se 15 milionë euro.
Ai veshi fanelën e famshme me numrin 7, që më parë e kishin mbajtur Xhorxh Best, Brajan Robson, Erik Kantona dhe Dejvid Bekam.
Në 6 vjet tek Junajtid, Ronaldo doli tri herë kampion, fitoi Kupën e Anglisë, dy herë Kupën e Ligës, Superkupën, Ligën e Kampionëve dhe Kupën e Botës për klubet.
Ai shënoi 118 gola në 292 ndeshje.
Në Premier Ligë ai kaloi stazhin dhe pasi fitoi Topin e Artë në 2008, ishte gati për arenën e madhe.
Në verën e vitit 2009, plot 80 000 tifozë u mblodhën në stadiumin “Bernabeu” për prezantimin e tij tek Reali, duke thyer rekordin  25-vjeçar të Diego Armando Maradonës tek Napoli.
Klubi më I madh I botës shpenzoi 94 milionë euro për kartonin, por pas 7 vitesh, investimi ia ka vlejtur për çdo cent.
Kristiano Ronaldo theu çdo rekord të golave me “merengesit”, duke lënë pas legjendat Raul, Hugo Sançez, Pushkash apo Di Stefano.
Ai ka sot shifrën e jashtëzakonshme të 376 golave në 365 ndeshje, me mesataren e pamendueshme prej më shumë se 1 rrjete për çdo takim.
Sukseset kolektive kanë qenë të mëdha, ndonëse përballë ishte pengesa Barcelonë e Lionel Mesit.
Ronaldo nuk ndihet i kënaqur me vetëm 1 titull në Spanjë, por këtë sezon shpreson të fitojë të dytin.
Gjithsesi, dy Liga të Kampionëve, dy Kupa të Mbretit, një Superkupë e Europës dhe një Kupë e Botës për klubet (që mund të bëhet dy), janë një koleksion i pasur.
Kristiano u bë i pavdekshëm në historinë e futbollit portugez, kur udhëhoqi kombëtaren në fitoren e Euro 2016-ës në Francë.
Ai është rekordmen i Portugalisë me 136 ndeshje dhe 68 gola.
Për klasin dhe profesionalizmin e rrallë, Ronaldo ka fituar katër herë Topin e Artë, trofeun më të madh individual në futboll, duke dominuar me 3 herë në 4 vitet e fundit.
Përveç futbollit, ai ka edhe jetën private, ku ndonëse nuk është i martuar, ka një djalë që quhet gjithashtu Kristiano.
Ndër të dashurat e tij të shumta, spikat rusja e shkëlqyer, Irina Shaik.
Ylli i Realit është sot sportisti më i paguar i botës, me mbi 200 milionë euro të ardhura, më së shumti duke qenë imazhi i kompanive të mëdha.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?