”Një sekondë më ndau nga vdekja”, futbollisti shqiptar rrëfen momentet e sulmit: Vraponi, më kanë goditur

Futbollisti shqiptar Jonathan Gjoshe kujton ngjarjen tronditëse të 1 nëntorit 2025. Vetëm pak javë pasi kishte nisur sezonin e tij të parë te Scunthorpe United, 23-vjeçari po udhëtonte nga Doncaster drejt shtëpisë së tij në Londër. Por rreth një orë pasi kishte nisur udhëtimin, ndodhi e paimagjinueshmja. Gjoshe ishte mes 11 pasagjerëve që mbetën të plagosur rëndë në një sulm me thikë në tren, ndërsa ai po kalonte përmes Cambridgeshire.

“Në fillim më goditën me thikë në shpatull”, i thotë ai BBC Sport. ”Më kujtohet që kërceva mbi tavolinë, mbi karrige. Thjesht po vrapoja në korridor, duke u thënë njerëzve: ‘ka një person me thikë, vraponi, më kanë goditur me thikë, vraponi, vraponi, vraponi’. Po bërtisja. Mendoj se isha personi i parë që u godit me thikë. E ndjeva dhimbjen. Por adrenalina filloi të vepronte”, rrëfen ai.

Gjoshe kujton se pavarësisht paralajmërimit të tij ndaj pasagjerëve të tjerë, “disa menduan në fillim se ishte shaka, sepse një ditë më parë ishte Halloween. Disa njerëz vrapuan, disa thjesht qëndruan ulur, por unë mendova se ai po vinte pas meje. “Ai moment i shkurtër, fakti që kërceva mbi tavolinë, më shpëtoi. Gjithçka që mendoja ishte të vrapoja për jetën time, të zbrisja nga ai tren. Kur arrita te vagoni i parë ose i dytë, tërhoqa alarmin dhe isha i mbuluar në gjak. Po mendoja se nuk do ta shihja më familjen time, nëse do të vdisja, dhe kjo ishte frika ime më e madhe. Në rrethana të zakonshme, do të kthehesha në Londër me makinë. Ishte hera e parë që mora trenin për t’u kthyer. Sa mundësi ka të ndodhë diçka e tillë? Është çmenduri”.

Swiss Digital Desktop Reklama

Treni bëri një ndalesë emergjente në Huntingdon, ku u prit nga policia. Pasi mori ndihmën e parë nga një pasagjer tjetër, Gjoshe arriti të dilte deri në parkingun e stacionit, prej nga ndihmës mjekët e dërguan me urgjencë në spital. Thika kishte kaluar përmes muskulit, duke kaluar shumë pranë një nervi në krah. Kur pyetet nëse kishte frikë se karriera e tij si futbollist mund të kishte marrë fund, ai thotë: “Isha shumë i shqetësuar. Thjesht mendoja: ‘çfarë dëmi më ka ndodhur?’ Nuk kisha asnjë ide derisa bëra operacionin. Ata më thanë: ‘Nervi nuk është dëmtuar shumë. Je shumë me fat”.

Swiss Digital Mobile Reklama

Pavarësisht se e ka përballuar gjithçka me një këmbëngulje mbresëlënëse, Gjoshe nuk ka hipur më në tren që nga sulmi masiv me thikë. “Nuk do të doja tani. Kurrë nuk i dihet. Është më mirë të jesh i sigurt. Tani nuk mund t’i besoj më asgjëje”, thotë ai. Pasi kishte kaluar vite duke luajtur futboll në ligat e vogla në Londër, momenti i madh i Gjoshes erdhi shtatorin e kaluar kur, pasi u shpall Lojtari i Ri i Vitit te Corinthian Casuals, ai iu bashkua Scunthorpe United pa kontratë, pasi kishte impresionuar trajnerin Andy Butler gjatë fazës përgatitore. Pasi u ngjit katër nivele në piramidën e futbollit, ai bëri debutimin me ekipin e parë kundër ekipit U21 të Leeds United në National League Cup më vonë atë muaj. Më pas u përball edhe me Middlesbrough në të njëjtin kompeticion.

Gjoshe është i vendosur t’i shohë gjërat me pozitivitet, në vend që të ndalet te kthesa mizore e fatit që i ndërpreu karrierën futbollistike. ”Dëgjo, ndodhi, kështu është jeta, falë Zotit jam gjallë. Nuk mund të rrish duke parë pas, duhet vetëm të vazhdosh përpara. E vetmja gjë që kisha në mendje ishte rikthimi në futboll dhe shpresa që do ta merrja atë mundësi. Ke vetëm një jetë. Çdo gjë mund të ndodhë, kështu që duhet ta shfrytëzosh sa më mirë. Dhe kjo më ka shtyrë të luftoj çdo ditë”, përfundon Gjoshe.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush është problemi sot: Edi Rama apo Sali Berisha?