Një Shqipëri entuziaste, por amatore
Nga BERAT BUZHALA
Meritojmë respekt për çdo gjë që ishte jashtë fushës së gjelbër. Në terren, i kishim vetëm dy lojtarë të nivelit të kampionatit, Elseid Hysën dhe Etrit Berishën. Ndoshta edhe trajnerin. Kaq. Pjesa tjetër janë entuziastë, të gatshëm për sakrifica.
Sigurisht që pjesëmarrja e Shqipërisë në një ngjarje kaq të madhe sportive, siç është Kampionati Evropian i Futbollit, është ngjarje në vetvete. Jo vetëm për ne, por edhe për mediat e huaja. Jam rritur më zhvillime të tilla, kur mediat perëndimore u kushtojnë vëmendje më të madhe ekipeve ekzotike, thuajse të panjohura, sesa, ta zëmë, ekipeve mesatare, që kurrë nuk fitojnë, por janë pothuajse vazhdimisht në garë, të tillave si Portugalia, Suedia etj.
Në këtë rast, meqë po merr pjesë për herë të parë në një Kampionat Evropian – ose në çfarëdo qoftë kampionati – për Shqipërinë po shkruhet më shumë. Po thuhet edhe ndonjë fjalë e mirë për lojën, sepse pritjet sigurisht kanë qenë minimale. Posaçërisht ka fjalë të mira për publikun shqiptar, që hiq ofendimet që i bënte shqiptarëve të Zvicrës, është treguar një publik simpatik, duke mos shkaktuar incidente në stadium a jashtë tij.
Pra, Shqipëria meriton notat më të larta, për çdo gjë që nuk ka lidhje me atë çfarë bëhet në fushën e gjelbër. Imazh i mirë. Madje edhe marketing i jashtëzakonshëm për të gjithë shqiptarët, pasi që evropianët ka vite që për ne lexojnë kryesisht shkrime që kanë të bëjnë me dhunën, krimet ose terrorizimin. Tash po shohin shqiptarë te hareshëm, tifozë të vërtetë, goca me atribute femërore që për nga përmasat shoqe mund t’i gjenden vetëm në Amerikën Latine. Evropianet nuk u vijnë as deri tek thembrat. Prapë, të gjitha këto janë jashtë fushës së gjelbër. Jashtë asaj për çka realisht zhvillohet e gjithë ngjarja. Ndonëse edhe kjo është shumë e rëndësishme. Shto këtu edhe kontributin tonë për kombëtaret tjera, siç është ajo e Zvicrës, me gjysmën e ekipit shqiptarë, ose atë të Gjermanisë, me një shqiptar, por që tërheq sa dy a tre lojtarë. Edhe kjo ishte fantastike. Siç ishte fantastike edhe përballja e rrallë por mjaft e bukur e dy vëllezërve Xhaka, njëri për Zvicër, e tjetri për Shqipëri. Duelet e tyre, por edhe përqafimet ishin emocionuese. Të dy nga Kosova, e asnjëri për Kosovën. Edhe kjo e kishte kuptimin e vet. Kishte shumëçka të flitet për ne. Një shpërthim i përnjëhershëm në arenën ndërkombëtare. Një Shqipëri e vogël, e krejtësisht inferiore. Kjo fiton edhe më shumë peshë kur dihet mënyra se si u kualifikua kjo kombëtare. Duke e lënë prapa Serbinë, një gëzim ky i disafishtë për të gjithë ne.
Pikë.
Këtu përfundon gjithçka.
Ata që thonë se Shqipëria po luan shumë bukur, ose që e tmerroi Francën, nuk kanë lidhje me futbollin. Ata shikojnë futboll çdo katër vjet, ose ndoshta edhe me rrallë. Shikojnë futboll vetëm kur kualifikohet Shqipëria. Që do të thotë për herë të parë po e shikojnë këtë lojë kaq të bukur.
I ndoqa të dy ndeshjet e Shqipërisë, atë në Lens kundër Zvicrës dhe tjetrën në Marsejë, kundër Francës. Nuk do të gënjej: në ndeshjen kundër Zvicrës isha shumë më i përmbajtur në emocione. Teknikisht do të doja të fitonte Shqipëria, por nuk më pikëlloi as fitorja e Zvicrës. Shqiptarët që luajnë për Zvicër i përcjell qe disa vite. Janë djem që na përfaqësojnë aq mirë në arenën ndërkombëtare, sa mund të krahasohen me Rita Orën dhe Dua Lipën. Pra, nuk kisha se si të doja me pasion humbjen e tyre. Kundër Francës isha me ndjenja të larta. Brohorita sa munda. Shpresoja në ndonjë mrekulli. Por nuk ishte e thënë. Jo pse nuk kishim fat, por pse nuk kishim mundësi. Fat nuk kishte Franca, për të shënuar më herët. Dhe do të ishte edhe më e pafat, sikur të mos shënonte fare.
Ekipi i Shqipërisë, me përjashtim të Elseid Hysajt, e deri dikur edhe Etrit Berishës, nuk kishte ndonjë lojtarë tjetër që kishte çfarë të tregonte në terren, përveç një dëshirë mbinjerëzore për të fituar. Nuk e vë në dyshim që ata që po luanin më top dëshironin edhe të fitonin, qoftë edhe duke u sakrifikuar në terren, por as kjo nuk mjafton. Në pjesën e dytë kundër Francës e kam parë Armando Sadikun kur nuk mund ta stabilizonte frymëmarrjen në fushë. Kërrusej i tëri për të kapur edhe ata pak oksigjen që i kishte ngelur në mushkëri. Kjo ishte sakrificë, pa dyshim. Skena të tilla nuk sheh në futbollin modern. Nuk ishte vetëm ai. E pamë Arlind Ajetin kur po rrëzohej çdo pesë minuta në fushë. Pa dashur t’i përmend të gjithë më radhë, por shumica e ekipit luante në një panik të përhershëm. Nuk jam i certifikuar për të dhënë mendime përfundimtare në këtë sport, por brenda vitit i shoh nga fillimi deri në fund qindra ndeshje, të nivelit profesionist. Kurse paraqitje e Shqipërisë, hiq ndonjë episod të shkurtër, nuk ishte në nivele të tilla.
E gjithë loja e Shqipërisë, ose e gjithë shpresa për të fituar, është e bazuar te ndonjë zhvillim i papritur në kampin kundërshtar, siç janë gabimet ordinere, siç është devijimi i topit në mënyrë të pavullnetshme, ose pasimi i paqëllimshëm te ndonjë sulmues i yni, në vend që të pasohej te mbrojtësi tjetër i ekipit kundërshtar. Apo edhe ndonjë rrëshqitje në terrenin e rrëshqitshëm në ekipin kundërshtar, mu para portës, e pastaj aty rastësisht të qëllojë ndonjë sulmues i yni. Këso gafash ndodhin në futboll. Kam parë me qindra syresh. Por kjo nuk duhet të jetë strategjia e vetme. Kjo mund t’i ndodhë Shqipërisë, Francës, Anglisë ose Gjermanisë. Por asnjë ekip nuk do të fitojë duke shpresuar në gjëra të tilla aksidentale. Futboll ky modern, kërkon më shumë se kaq. Kërkon organizim, siguri, fuqi, përgatitje teknike, psikike dhe fizike etj.
Nuk dëshiroj tash të them nëse kjo ishte përbërja e duhur e ekipit, ose nëse do të ishte më mirë që të ishte në formacionin bazë Gashi, ose lojtarë të tjerë që qëndronin në bankën rezervë. Nuk besoj që do ta kishin bërë ndonjë dallim të madh, edhe sikur të ishin startues. Madje unë besoj që trajneri Ganni De Biasi e ka bërë punën më të mirë të mundshme, marrë për bazë çfarë kishte para vetës. Rezistenca në mbrojtje ishte tipike italiane. Por ajo çfarë i mungonte kësaj mbrojtje italiane ishte edhe kundërsulmi italian, si bie fjala Baggio, Schillaci, Inzaghi e të tjerë. Nëse shkon në një lojë vetëm për të mos pranuar gollë, pa kurrfarë ambicie për të shënuar – kuptohet nëse kundërshtari nuk e ndëshkon vetën – atëherë sigurisht që do të humbësh – një ditë. Nuk do të fitosh kurrë. Mund të përfundosh baraz, si opsioni më optimist.
Shqipëria në ndeshjet kualifikuese për në Evropian ka përfituar nga kjo strategji, sepse ekipet kundërshtare kalkulonin edhe për ndeshjet tjera. Tash qërimi i hesapeve është më brutal, sepse nuk ka shumë ndeshje.
Askush, e as unë, nuk është për ta ndalur festën. Kjo është një gjë e bukur. Nuk ndodh shumë shpesh. Në rastin tonë për herë të parë.
Por të mos e gënjejmë veten se po e trembim edhe Francën në futboll. Mund të përfitojmë vetëm duke thënë se jemi njëri prej ekipeve më simpatike, fal edhe tifozërisë. Por kaq. Nuk e kemi trembur askënd.
Dhe një gjë: mos i besoni fjalëve të Edi Ramës, e as të politikanëve të tjerë, kur flasin, ose kur japin analiza sportive. Këtyre mos u besoni as kur japin analiza politike, e as analiza ekonomike. Këta, e edhe plot të tjerë, e kanë synim që të përfitojnë nga euforia.
Në anën tjetër, unë, i pashë edhe disa të tjerë, po përpiqemi t’i thërrasim gjërat me emrin e vërtetë. Dhe nuk po e them vetëm tash. E kam thënë edhe para se të fillonte Kampionati Evropian, se do të ishte sukses i madh nëse Shqipëria arrin të shënojë, qoftë edhe një gol, gjatë këtij kampionati.
Por, festa le të vazhdojë. Duhet ta kemi në mendje edhe një gjë: ekipi i Rumanisë është jashtëzakonisht i fortë. Kanë barazuar me Zvicrën, duke shënuar të paret, kurse kanë humbur nga Franca, duke pranuar gol në fund të ndeshjes, pasi fillimisht kishin barazuar.
Ne mbetet t’i prishim virgjërinë portës kundërshtare. Exspres.com