Një vit krenari
Mrekullia kosovare në rrugëtimin drejt realizimit të ëndrrës evropiane
Kombëtarja e Kosovës në futboll ishte mrekullia e vendit tonë gjatë një viti të plotë, shkruan Gazeta Express.
Gjatë dymbëdhjetë muajve të vitit që lamë pas Kosova dhe populli i saj u bënë krenarë nga futbollistët “Dardanë”, të cilët e habitën botën e futbollit me rezultatet fenomenale që i regjistruan në kampanjë kualifikuese për Kampionatin Evropian, i cili do të zhvillohet gjatë verës së ardhshme.
Madje, skuadra jonë shtetërore ishte vetëm 180 minuta larg fantazisë – përkatësisht kualifikimit në Evropian.
Eliminatoret për “Euro 2020” filluan dhe mbaruan në vitin 2019, ndërsa Kosova që nga fillimi e deri në fund u tregua një kandidate shumë potenciale, ndonëse në grup kishte kundërshtarë të mëdhenj, siç janë Anglia, Cekia apo edhe Bullgaria e Mali i Zi.
Kosova përfundoi e treta në grup, por që konkurroi seriozisht deri në fund.
Paralajmërimi i “stuhisë” ndodhi më 21 mars, kur Kosova për pak nuk arriti ta mposhtë njërën prej Kombëtareve më të forta në botë, Danimarkën, në një miqësore që përfundoi 2:2 në Prishtinë.
Kosova me plot motiv e priti ndeshjen e parë kualifikuese në Prishtinë kundër Bullgarisë. Por, në mungesë të fatit iu deshtë të pajtohet me një barazim prej 1:1.
Pastaj, Kosova shkoi pafat në Podgoricë, ku po ashtu nuk arriti ta nxjerr më shumë sesa një barazim prej 1:1 si mysafire e Malit të Zi.
Shpirti luftarak i “Dardanëve” u shfaq në muajin qershor, kur Kosova shpërtheu në Sogje, duke e mposhtur Bullgarinë me një fitore të jashtëzakonshme prej 3:2.
Mrekullia kosovare erdhi në shprehje edhe në shtator, kur ekipi i trajnerit Bernard Challandes, ia rrezikoi të ardhmen evropiane Çekisë me një humbje që ia shkaktoi në Prishtinës me rezultat prej 2:1.
Konsiderohej e vogël, por Kosova u tregua mjaft e madhe edhe në ndeshjen tjetër të zhvilluar në Angli. Favoritja numër 1 e grupit fitoi në shtëpi, por jo pa vështirësi. Ndeshja u mbyll me rezultat 5:3 për Anglinë, por Kosova mori lavde gjithandej për tregolëshin e realizuar midis Anglisë.
Para se t’i zhvillonte tri ndeshjet e fundit dhe vendimtare, në tetor Kosova e zhvilloi një test me Gjibraltarin, të cilin e fitoi me rezultat 1:0.
Vetëm katër ditë më vonë Kosovën e priste sfida tejet e rëndësishme për të mbetur në garë për kualifikim në “Euro 2020”. Në Prishtinë po e priste Malin e Zi, të cilin e mposhti pa problem. Përmes një loje fenomenale “Dardanët“ e arritën fitoren e madhe prej 2:0.
Derisa Mali i Zi e Bullgaria u dorëzuan, Kosova e vetme e vazhdoi presionin mbi favoritët e grupit, Anglisë dhe Çekisë.
Çekët më 14 nëntor ishin mobilizuar për ta pritur rivalen kryesore të tyre, Kosovën. Ata po sulmonin pa ndërprerë, ndërsa Kosova në minutën e 50-të me Atdhe Nuhiun kaloi në epërsi, duke iu afruar ëndrrës së madhe.
Por, ëndrrën kosovare megjithatë e prishi përvoja e madhe e çekëve, të cilët e përmbysën disavantazhin dhe në fund fituan 2:1, me të cilin rezultat vet shkuan në Evropian, kurse Kosovën e eliminuan, natyrisht me kokë lartë.
Ndeshja e fundit me Anglinë për Kosovën më nuk kishte as kuptim e as motiv.
Këtë lojë “Dardanët” e shfrytëzuan për prestigj. Por, edhe për ta shfaqur qytetërimin e Kosovës dhe të kosovarëve nëpër botë.
Derisa në Mal të Zi e Bullgari anglezët ishin pritur me fyerje të rënda raciste, në Prishtinë atyre iu rezervua një pritje madhështore në mënyrë që të ndiheshin si në shtëpinë e tyre.
Kështu edhe ndodhi. Anglia fitoi me rezultat 4:0, e cila fitore u duartrokit nga secili kosovar që ishte në prezent në stadium.
Anglia shkoi në “Euro 2020” me shpresën që atje ta takojë sërish Kosovën, e cila e ka edhe një shans para vetes.
Në mars Kosova do t’i kthehet Ligës së Kombeve. Nëse e mposht si mysafire Maqedoninë, atëherë do ta zhvillojë ndeshjen vendimtare me fituesin e çiftit tjetër, Bjellorusi – Gjeorgji.
Për fituesin e këtij “Play-Off-i” është rezervuar një vend në “Euro 2020”. Kosova beson në forcën e saj.
Forcën “Dardane” tashmë e kemi parë secili prej nesh. E kanë parë edhe të tjerët gjithandej!
Valon Konushevci, Gazeta Express