Notat e “kuqezinjve”

Magjia e kuqezinjve ka mbaruar në 2016, kur pati mundësinë për të shkuar në nivelin më të lartë kontinental, ndërsa tani çapiten për të formësuar një skuadër. Dekorit të bukur të stadiumit nuk ju përgjigj loja e kuqezinjve, aq më shumë kur përballë është skuadra kampione e botës në fuqi. Trajneri që me Andorrën u justifikua për mos aktivizimin e të gjithë titullarëve, bëri një eksperimentim tjetër, duke i dhënë vendin e titullarit disa futbollistëve të rinj.

Berisha 5.5-Pa asnjë përgjegjësi te golat, ndërkohë që tregoi vendosmëri dhe siguri në të gjitha rastet që u vendos në provë, të cilat i neutralizoi me kujdes.

Dermaku 5-Nuk ka qenë në lartësinë e duhur, aq më shumë në rreshtimin kur skuadra është në fazë mbrojtëse. Mos koordinimi bëri që skuadra të merrte dy gola shumë të lehtë.

Veseli 5.5-Lojtar me shumë grintë, merrte pjesë aktivisht në lojën sulmuese, por që dukej e paplotë përballë një kundërshtari superior.

Gjimshiti 5-Hasi shumë vështirësi në mbrojtjen një kundër një dhe nuk kishte vendosmërinë e duhur për të ndihmuar skuadrën në lojën sulmuese.

Hysaj 5-Kapiteni u mundua që të ndihmonte skuadrën, vrapo shumë, ndihmoi skuadrën në fazën sulmuese, por pa saktësinë e duhur.

Lenjani 4.5-Apatik dhe pa fuqi. Nuk kishte ritmin që kërkonte kundërshtari, ashtu sikundër nuk ndihmoi mjaftueshëm skuadrën as në fazën mbrojtëse.

Qose 4.5-Vetëm një prekje topi në 45 minuta nuk janë të mjaftueshme për të justifikuar prezencën. Eksperimenti i trajnerit ndoshta nuk u bë në momentin e duhur.

Gjasula 5-Nuk ishte në lartësinë e duhur. Nuk kishte shumë shkëlqim në lojën e tij por nuk kishte as grintë, e kushtëzuar kjo edhe nga kartoni i verdhë që mori që fillimin e lojës.

Bare 5.5-Një futbollist që kombëtarja tani e ka fituar tanimë. Shumë voluminoz, me grintë dhe bashkëpunues. I duhet më shumë mbështetje.

Manaj 4.5-Një ndeshje tjetër që nuk e shpëton dot. Shumë individualizëm dhe pak qartësi në veprime. Vetëm një tentativë drejt portës nuk mjafton.

Balaj 4.5-Fiziku i tij dukej shumë i vogël përballë gjigandëve të mbrojtjes franceze. Pak prekje topi dhe ato shumë larg zonës së portës.

Roshi 5-Pritej një shpërthim i madh prej tij pas aktivizimit të pjesën e dytë, por ato mbetën në tentativë, pasi u mbulua mirë nga francezët.

Trashi-Pa notë. Shumë pak minuta aktivizim.

Memushaj 6-Aktivizimi i tij në pjesën e dytë i ndryshoi fytyrën skuadrës. Shumë i sigurt me topin dhe I qartë në atë që kërkonte.

SHKARKO APP