Nuk janë paguar prej muajsh, lojtarët e Skënderbeut braktisin stërvitjen
Nuk kanë të sosur problemet t skuadra e Skënderbeut. Kriza financiare ka zbritur edhe në dhomat e zhveshjes duke u reflektuar drejtpërdrejtë në skuadren e drejtuar nga Ilir Daja. Ekipi ka bojkotuar stërvitjen e të martës në Korcë dhe këtë ia ka bërë të ditur trajnerit dhe drejtorit ekzekutiv të klubit të futbollit Skënderbeu, Ilirian Përmeti.
Lojtarët u grumbulluan fillimisht në dhomat e zhveshjes dhe pasi i komunikuan klubit dhe trajnerit vendimin, u larguan nga kompleksi stërvitor. I pari që la dhomat e zhveshjes ishte portieri Enea Kolici dhe më pas të gjithë me radhë refuzuan të zbrisnin në fushë për të vijuar me seancën e planifikuar.
Futbollistët gjatë këtij sezoni nuk janë paguar ende, cka do të thotë se klubi nuk ka derdhur detyrimet kontraktuale për 3 muaj. Situata rëndohet nëse llogaritet fakti që lojtarëve, që ishin pjesë edhe e sezonit të kaluar, nuk u janë paguar edhe 3 muaj të tjerë.
Problemet financiare në klubin 8 herë kampion nisën pas konfirmimit të dënimit 10-vjeçar të Uefa-s nga Cas i Lozanës, vendim që e pengon Skënderbeun të marrë pjesë në garat ndërkombëtare.