Osimhen: Mund të shkoja te Juventusi në verë, por nuk më la De Laurentiis
Sulmuesi i Galatasaray, Victor Osimhen, ka dhënë një intervistë të gjatë për La Gazzetta dello Sport në ditën kur skuadra e tij përballet me Juventus, duke folur për ndeshjen, raportin me ish-trajnerin dhe të ardhmen e tij.
Osimhen deklaroi se për të është një motivim i madh të luajë ndaj një klubi të madh dhe theksoi: “Për mua do të jetë një shtysë të luaj kundër një klubi të nivelit të lartë. Nuk mund të lejojmë shpërqendrime, sepse çdo gabim mund të kushtojë shumë shtrenjtë”.
Duke u ndalur te periudha e tij te Napoli, sulmuesi foli për raportin me trajnerin Luciano Spalletti, duke mohuar zërat për konflikte: “Nuk ishte e vërtetë që ne ziheshim. Unë e vlerësoj shumë. Ai punoi ditë e natë për të na bindur se mund ta fitonim titullin, duke triumfuar në një klub që nuk e kishte arritur prej dekadash. Ishte një trajner që kërkonte shumë, por të jepte edhe shumë. Njerëz si ai të bëjnë të rritesh fillimisht si njeri dhe më pas si futbollist”.
Në fund, Osimhen komentoi edhe për mundësinë e kaluar për t’u transferuar në Torino te Juventusi: “E di që, nëse nuk jam numri një, jam numri dy. Mund të isha edhe në dy klube të tjera të mëdha të Serie A. Giuntoli më telefonoi për të më çuar te Juventusi, fola edhe me disa persona nga klubi, por e dija se De Laurentiis nuk do të më linte të largohesha. Kur të telefonon Juventusi, duhet të ulesh dhe të dëgjosh. Interesi ishte real”.
KOHA JONË SONDAZH

