Osimhen në dyshim të madh për sfidën e kthimit ndaj Juventusit
Sulmuesi nigerian Victor Osimhen mbetet në dyshim për sfidën e kthimit ndaj Juventus, me Galatasaray që pritet të marrë vendimin përfundimtar vetëm në momentet e fundit para ndeshjes.
Sipas raportimeve nga mediat italiane, gjendja fizike e ish-sulmuesit të Napoli vazhdon të jetë shqetësuese. Osimhen pësoi një problem në gju në ndeshjen e parë të play-off-it të Champions League, takim që skuadra turke e fitoi bindshëm 5-2 në Stamboll.
Edhe pse ditët e fundit nga klubi është shfaqur optimizëm, dhimbjet në gju vazhdojnë dhe aktivizimi i tij nga minuta e parë do të vendoset vetëm pranë nisjes së ndeshjes.
Strategjia e Galatasarayt duket të jetë mbajtja e situatës së fshehtë për të mos i dhënë avantazh kundërshtarit. Për këtë arsye, nuk priten sinjale të qarta as në konferencën për shtyp të trajnerit Okan Buruk, e planifikuar të mbahet në Allianz Stadium.
Në rast se Osimhen nuk do të jetë gati, alternativat për repartin ofensiv të skuadrës turke mbeten Mauro Icardi, që mund të luajë si titullar, ose spostimi në qendër i sulmit i Barış Alper Yılmaz.
KOHA JONË SONDAZH

