Osimhen zgjon Napolin, Mertens dhe Insigne mundin Parmën (VIDEO)
Napoli e ka nisur në mënyrën më të mirë sezonin e ri në Seria A, duke marë një fitore të pastër 2-0 në transfertën ndaj Parmës. Ishte një duel aspak i thjeshtë për ekipin e Gattusos që nuk krijoi thuajse asnjë rast në pjesën e parë. Nga minuta e parë ishte në fushë edhe Elseid Hysaj, që luajti në krahun e majtë, duke bërë një prezantim shumë të mirë.
Loja e Të Kaltërve do të ndryshonte me futjen në fushë të blerjes së re Osimhen, i cili ishte në rrëmujën ku edhe lindi goli i parë nga Mertens në minutën e 63-të. Parma u përpoq që të reagonte, por do të pësonte edhe të dytin 13 minuta nga fundi.
Pas një grushtimi të portierit Sepe, topi shkon te Insigne, i cili e ka një lojë fëmijësh dërgimin e topit në rrjetë. Në Tardini ishin edhe dy shqiptarë të tjerë përveç Hysajt, Dermaku dhe talenti Kasa, të cilët e panë ndeshjen nga stoli. /R.Lika-Koha Jone/