Otto John transferohet te Prishtina, Skënderbeu arkëton 100 mijë euro

Otto John është sulmuesi më i ri i Prishtinës. Pas bisedimeve të shumta, bomberi nigerian pranoi të rikthehet në IPKO Superligën e Kosovës, këtë herë për të mbajtur veshur fanellën e skuadrës kryeqytetase, pas eksperiencës pozitive në të shkuarën me Trepça ’89 ku arriti të shënonte 44 gola në total dhe të fitonte një titull kampion në Kosovë.

Në eksperiencën me Skënderbeun që zgjati 1 vit e gjysmë Otto John arriti të shënonte në total vetëm 5 gola në Kategorinë Superiore. Ai konsiderohet një përforcim me shumë vlera për bardhekaltrit, ndërkohë që Skënderbeu për kartonin e tij mësohet se ka arkëtuar diçka më shumë se 100 mijë euro ndërkohë që ka ruajtur edhe një përqindje të vogël të kartonit në rast rishitjeje nga Prishtina në të ardhmen.

Vetë 20-vjeçari afrikan i cili pas pak ditësh do të mbushë 21-vjeç, u shfaq shumë i lumtur për këtë hap që ka hedhur në karrierën e tij duke thënë edhe fjalët e para si lojtar i Prishtinës.

“Në Prishtinë vendosa të vij sepse ka ekip të mirë dhe janë klub me famë. Dhe, kur më ftoi kryetari Ejupi, e pash një mundësi të mirë për mua që të jap më të mirën për klubin. Po, kam luajtur dy vite më parë këtu, edhe pse patjetër që ka ndryshime, mund të them që e njoh ligën dhe futbollin këtu. E di si luhet, e di çfarë kërkohet dhe shpresoj shumë që të jap ndihmën time të nevojshme për ekipin”.

 

 

SHKARKO APP