Pak rëndësi sa gola, por fitojmë ndaj Tiranës! Partizani ndez derbin në “Qemal Stafa”,
Derbi i madh i kryeqytetit Tirana-Partizani do të luhet të premten në mbrëmje, ora 19.00, në stadiumin “Qemal Stafa”. FSHF dha zyrtarisht konfirmimin, pasi u shty edhe për 24 orë të tjera për shkak të protestës së opozitës, ndërsa stadiumi ka hapur dyert për këtë ndeshje dhe ekipet kryeqytetase do të shkelin për herë të parë në një tapet të ri. Stadiumi kombëtar qëndroi i mbyllur për gati dy muaj dhe rikthehet për të pritur derbin e madh të kryeqytetit, që i gjen dy ekipet si pretendente për titull, por me një ndryshim pasi Partizani e humbi ndeshjen e fundit në Shkodër dhe e sheh si shansin e fundit derbin ndaj Tiranës, pasi ndodhet 7 pikë larg kryesuesve dhe tre pikë pas Tiranës. Bardheblutë në rast fitoreje mund të ngjiten në vend të dytë, 1 pikë pas Skënderbeut kryesues.
Partizani
Partizani është në presion të fitores, ose të paktën të shmangë humbjen në derbi ndaj Tiranës, pasi ndryshe mund t’i zhgënjejë edhe më tepër tifozët e kësaj skuadre. Por Idriz Batha, mesfushori i të kuqve kujton se problematikat që mund të kalojnë skuadrat, para një përballje të tillë shumëzohen me zero. Batha parashikon një tjetër fitore të Partizanit në derbin e tretë sezonal me Tiranën, që do të perurojë tapetin e ri të “Qemal Stafës”. – “Unë e ndiej që ne do të fitojmë sërish. Nuk mund të them me sa gola, sepse kjo nuk është shumë e rëndësishme, por do të dija që të përsëritej rezultati i derbit të fundit,” – thekson ai. Edhe pse Tirana është skuadër pritëse, Batha është i bindur se tifozëria e kuqe do të dominojë në shkallët e “Qemal Stafa”. – “Tifozët e Partizanit janë më të mirët në botë. Për këtë nuk kam asnjë dyshim. Unë jam i bindur që ata do të dominojnë me koreografinë dhe entuziazmin e tyre, edhe pse Tirana është pritëse.” Mesfushori 22-vjeçar mbi humbjen e fundit në "Loro Borici" këmbëgul se ajo disfatë nuk reflekton lojën që shfaqën të dyja skuadrat në fushë. Amir Rrahmani është mungesa e vetme e Partizanit në derbi, pasi ka plotësuar numrin tre të kartonëve të verdhë, ndërsa Fazlliu dhe Bylykbashi e kanë kaluar dëmtimin dhe do të jenë në dispozicion të Duros.
Tirana
Elis Bakaj do të jetë mungesa e madhe e Tiranës në derbin me Partizanin. Ish-lojtari 27-vjeçar, i cili u dëmtua në sfidën e Korçës nuk ishte në dispozicion të trajnerit Gugash Magani as në fitoren e fundit me Kukësin, por shpresohej rikthimi i tij ndaj të kuqve. Bakaj e ka ndërprerë përgjysmë seancën e fundit stërvitore, pasi nuk është riaftësuar plotësisht nga dëmtimi. Megjithatë, në kampin bardheblu atmosfera është pozitive dhe pavarësisht se mungon një nga lojtarët kryesorë, Tirana e është përgatitur për fitore që të nisë marshimin drejt titullit të 25-të kampion, siç edhe pretendojnë lojtarët kryesorë të kësaj skuadre.
KOHA JONË SONDAZH

