Partizani fiton me lehtësi ndaj Flamurtarit, Lika shokon Teutën në fund me një perlë (VIDEO)
Partizani nuk gabon as ndaj Flamurtarit. Skuadra e Sormanit arriti që të triumfonte pastër 2-0 në stadiumin “Selman Stermasi”. Pas një pjese të parë pa gola, fraksioni i dytë do të sillte më shumë emocione.
Të kuqtë do të zhbllokonin ndeshjen në minutën e 61-të me anë të Eraldo Çinarit. Shkodrani është treguar i saktë nga pika e bardhë e penalltisë, duke i dhënë avantazhin të kuqve. Penalltia u fitua nga Solomon, të cilit i ndërhyri mbrojtësi Muçollari.
10 minuta më pas, Lorec Trashi shënoi edhe golin e dytë me një goditje të bukur nga një pozicion i prirët brenda zonës së portierit Moçka. Kjo ishte fitorja e dytë radhazi për ekipin kryeqytetas, që më në fund arrin që të gjejë qetësinë në kampionat.
Teuta nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1 ndaj Luftëtarit, duke bërë një hap falas në kampionat. Në minutën e 14-t,Emiliano Vila tentoi një roveshatë spektakolare, e cila do të përfundonte në traversë dhe më pas do të shkonte në portën e Gomes, që e ka të thjeshtë për ta shtyrë topin në rrjetë.
Pamjet filmike tregojnë për pozicionin e parregullt të tij, por gjyqtari e cilësoi të rregullt. Në minutën e 90-të, Gresild Lika shënoi një gol spektakolar me një goditje shumë të bukur nga distanca. /R.Lika-Koha Jone/