Partizani i Lerdës tregon “dhëmbët” ndaj Qarabag-ut, por vendoset gjithçka në Azerbajxhan (VIDEO)
Partizani bën një paraqitje fantastike në ndeshjen e parë ndaj Qarabagut në Champions League, por nuk mundi të shkonte më shumë se një barazim pa gola. Ekipi i Lerdës luajti një lojë të barabartë ndaj kundërshtarëve, madje duke krijuar shanse të mira shënimi. Ndeshja nisi më mirë për skuadrën azerbajxhanase që ka kontrollin e lojës në minutat e para, ndërkohë që të kuqtë mbrohen mirë. Rastin e parë të rrezikshëm do ta kishte Medvedev në minutën e 17-të, por Hoxha shpëtoi skuadrën e tij nga pësimi i golit duke grushtuar topin.
3 minuta më pas do të vinte edhe rasti më i rrezikshëm i ndeshjes. I ndodhur brenda zonës, krejtësisht i lirë, Ozobic godet vetëm traversën edhe pse portieri dhe mbrojtja e ekipit shqiptar ishte thuajse e dorëzuar. Partizani ndërkohë kërkon të reagojë me Asanin, i cili tregon aftësitë e tij disa minuta më vonë me një shmangie dhe më pas me një goditje që do të përfundonte ngjitur me kuadratin e portës. Loja bëhet e barabartë, madje ekipi i drejtuar nga Franco Lerda rrezikoi sërish portën e kundërshtarëve me Çinarin, i cili nuk arriti që ta devijonte topin në kuadratin e portës pas një krosimi të Ibrahimit.
Fraksioni i dytë i ndeshjes nisi mjaft mirë për Partizanin që ju afrua shumë pranë golit të avantazhit me Çinarin, i cili në këtë rast u ndal nga një mrekulli e portierit rival. Partizani merr zemër, teksa në minutën e 51-të, Belica pas zhvillimeve të një goditje nga këndi gjen traversën, duke mos ju gëzuar dot golit. Loja e të kuqve është fantastike, teksa Cordeiro vendosi sërish në provë portierin.
Qarabag vuan shumë në fraksionin e dytë, ndërkohë që Lerda freskoi ekipin duke hedhur në fushë në 10 minutat e fundit edhe Trashin. Futbollisti më i mirë i Superligës në sezonin e fundit tregoi menjëherë aftësitë e tij duke shpërthyer në krahun e majtë dhe pas një goditje të bukur, topi shkoi ngjitur me traversën. Deri në fund rezultati nuk do të ndryshonte duke lënë të hapur gjithçka për ndeshjen e kthimit që do të zhvillohet në Azerbajxhan. /R.Lika-Koha Jone/
KOHA JONË SONDAZH

