Partizani mund Bylis dhe shkon -6 nga Vllaznia, Tirana thyen Skënderbeun
Partizani dhe Tirana përfitojnë më së miri nga humbja e Vllaznisë ditën e djeshme, duke marrë fitoret në sfidat e tyre. Skuadra e Dajës mundi 2-1 Bylisin, por vuajtën jo pak. Ballshiotët humbën një penallti me Kojic në pjesën e parë që do të pritej nga Alban Hoxha.
Në minutën e 57-të, Çinari fiton një penallti, që do ta kthente po vetë në gol. Bylis mbeti me një futbollist më pak nga minuta e 73-të, pasi Ymerslilaj u ndëshkua me karton të kuq pas një reagimi ndaj Hakaj. Partizani përfitoi nga avantazhi numerik duke shënuar edhe golin e dytë me Tedi Carën 9 minuta nga fundi, por vendasit rihapën sfidën 4 minuta nga fundi me Cakanjin. Të Kuqtë ngjiten në kuotën e 31 pikëve, 6 më pak se Vllaznia kryesuese.
Tirana mori një fitore të thjeshtë 2-0 ndaj Skënderbeut, teksa do ta zgjidhte që në start fatin e ndeshjes. Seferi zhbllokoi ndeshjen në minutën e 10-të, ndërkohë që 8 minuta më pas Hoxhallari dyfishoi shifrat. Në këtë mënyrë nisi me humbje aventura e Memellit në krye të korçarëve. Tirana me këtë fitore ngjitet në kuotën e 26 pikëve, në vendin e pestë. /R.Lika-Koha Jone/